E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pasaporta false, pranga turkut në Rinas

 
ARRESTIMI
 
TIRANË-Tenton të kalojë kufirin me pasaportë false, përfundon në qeli një shtetas turk. Mustafa Taskopru, 31-vjeç, banues në Turqi është arrestuar dy ditë më parë nga policia sepse u kap në aeroportin e Rinasit me një pasaportë, e cila dyshohet të jetë e falsifikuar. Burime zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Tiranës thanë se shtetasi turk po tentonte të kalonte kufirin me një pasaportë shërbimi. Kontrollorët e aeroportit dyshuan se pasaporta që dispononte 31-vjeçari Taskopru ishte false. Ndaj dhe lajmëruan menjëherë specialistët e antikrimit ekonomik-financiar të policisë së kryeqytetit. Këta të fundit nisën hetimet. Nga verifikimet e kryera paraprakisht rezultoi se pasaporta me të cilën Mustafa Taskopru do të kalonte kufirin nga aeroporti i Rinasit ishte i falsifikuar. Turku u shoqërua në ambientet e drejtorisë së policisë së Tiranës ku dhe u mor në pyetje. Burime nga policia thanë se në deklaratën e tij, 31-vjeçari ka mohuar të ketë pasur dijeni për parregullsitë që u konstatuan në pasaportën e tij. Megjithatë kjo nuk e ka penguar sektorin e antikrimit ekonomik-financiar t'i komunikojë shtetasit turk masën e arrestit pasi akuzohej për veprën penale të "falsifikimit të letërnjoftimeve apo vizave" dhe të "falsifikimit të vulave, stampave ose formularëve". Ndërkohë, gjatë kontrollit të ushtruar, të arrestuarit iu sekuestrua në cilësinë e provës materiale pasaporta në emër të tij, pasaporta turke e zakonshme, po në emër të tij, një telefon "Samsung" me ngjyrë gri si dhe biletat elektronike të linjës ajrore Alitalia–Milano.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›