E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tokat në Kashar, 22 banorë ,denoncojnënë prokurori

 
Rriten përmasat e skandalit të tokave në Kashar, pas denoncimeve të reja të banorëve. Prokuroria verifikon hartën e tokës
 
 
TIRANË- Pas arrestimit të zyrtarëve të komunës së Kasharit, banorët e zonës që kanë humbur tokat kanë vërshuar në dyert e prokurorisë së Tiranës. Sipas burimeve zyrtare pranë këtij institucioni mësohet se 12 ditë pas arrestimit të zyrtarëve të komunës së Kasharit, në prokurori janë depozituar mbi 22 kallëzime të tjera, përveç tetë kallëzimeve të bëra para arrestimit të tyre nga fshatarët. "Për arrestimet në Kashar kanë ndihmuar fillimisht kallëzimet e tetë banorëve të kësaj komune, por gjatë hetimeve janë pranuar nga grupi hetimor edhe 22 kallëzime të tjera, duke e çuar numrin e denoncuesve të vjedhjes së pronave në 30",-pohuan dje burime nga prokuroria.Sipas këtyre burimeve, kallëzimet për vjedhjet e pronave janë shtuar, pasi banorët shpresojnë jo vetëm që të arrestuarit të marrin dënimin e merituar, por edhe t'iu kthehen pronat. Me shtimin e denoncimeve, është shtuar edhe përmasa e abuzimeve me tokat në Kashar, ku nga 18 hektarë, toka me të cilën është abuzuar mendohet të jetë mbi 25 hektarë.
***
Listës së personave të pandehur të kësaj dosjeje të njohur ndryshe si "Kashari 2", i është shtuar edhe shtetasi Bardhyl Kamberi që është edhe personi që ka denoncuar aferat e të pandehurve, duke treguar të gjitha mashtrimet dhe vjedhjet e pronave dhe skemën e abuzimit me ligjin 7501. "Të gjithë kallëzimet e reja po verifikohen e saktësohen me hartën e parcelave në terren dhe më pas do të vendoset që t'i bashkohen dosjes me 7 të pandehur",-thanë burimet e akuzës. Ndërkohë, deri në momentin e arrestimit të katër ish-zyrtarëve të Komunës dhe sekserëve të tyre, Prokuroria kishte marrë në pyetje rreth 30 banorë të zonës, tokat e të cilëve ishin hedhur në emra të tjerë pronarësh, përmes falsifikimit të dokumenteve. Sipas prokurorisë, skema e tjetërsimit të pronave ka filluar që nga vitit 2000 e duke vazhduar për 7 vjet deri në këtë vit kur u arrestuan të shtatë të pandehurit.
***
Siç duket, abuzimi me tokat është trashëguar së bashku me postin, nga njëri kryekomunar tek tjetri. Fillimisht Naim Karaj kryetar në vitet 2000-2003, Faik Fejza, në vitet 2003-2007 dhe Alfred Sulaj, i votuar në zgjedhjet e fundit vendore akuzohen se kanë përdorur të njëjtën strategji. Sipas prokurorisë, ata falsifikonin çertifikaten e pronësisë, me ndihmën e përgjegjësit të kadastrës dhe ia kalonin pronën një personi të afërm. Më pas, trualli nxirrej në shitje dhe lekët ndaheshin mes kryetarit të komunës, përgjegjësit të kadastrës dhe pronarit "fiktiv". Rasti i fundit i faktuar, sipas prokurorisë është ai ku kreu i komunës së Kasharit, Alfred Sulaj i dhuron 25 dynymë tokë dajës së tij, Xhevair Hyka. Ky i fundit duket se nuk e ka pasur të vështirë të shesë truallin, pasi ndodhej përgjatë autostradës Tiranë-Durrës dhe lekët i ndau me nipin.
KALLËZUESIT E PARË
Vladimir Kosta
Skender Koçi
Viktor Lleshi
Fiqiri Sula
Xhavit Kamberi
Gani Kamberi
Zydi Kamberi
Nexhmie Valisi
TË ARRESTUARIT:
Alfred Sulaj
Faik Fejza
Naim Karaj
Shefqet Alikaj
Ismail Sulaj
Xhevahir Hyka
Islam Shera

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›