E Shtunë, 31 Tetor 2026

Alarmi, RENEA "blindon" Lul Berishën

 
Kreu i bandës së Durrësit është dërguar nën masa të rrepta sigurie në Gjykatën e Krimeve të Rënda
 
TIRANË- Forcat speciale të RENEA-s, si asnjëherë më parë shoqërojnë nga dera e hekurt e paraburgimit "Mine Peza" deri tek salla e gjyqit, kreun e bandës së Durrësit, Lulëzim Berisha. Sipas burimeve pranë Ministrisë së Brendshme thuhet se shkaku i shoqërimit të Berishës me forca të larta të sigurisë është bërë për të ruajtur dhe evituar çdo mundësi atentati të mundshëm ndaj tij nga rivalët e përbetuar, drejtuesit e të cilit ndodhen në një burg me të. Ka qenë ora 9:15 minuta e paradites së djeshme, kur dy blinda të forcave të RENEA-s, të shoqëruar nga dy fouristrada kanë pritur tek dera e paraburgimit furgonin e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve. Mësohet se me të dalë nga dera furgoni me të pandehurin Berisha, futur në kafaz brenda ambienteve të makinës, blindat e RENEA-s e kanë futur atë në mes, duke e shoqëruar deri në gjykatë dhe pas mbarimit të seancës është përsëritur e njëjta skemë. Edhe vetë punonjësit e burgjeve kanë mbetur të habitur, kur kanë parë se shoqëruesit e furgonit të tyre janë trupat speciale të RENEA-s, të cilët luajtën rolin e eskortës, gjë që ndodh vetëm në raste të mëdha rreziku.Ndërkohë, seanca gjyqësore e ditës së djeshme nuk u zhvillua për shkak të mungesës së një prej avokatëve të 17 të pandehurve në këtë proces. Seanca u shty për javën tjetër, duke urdhëruar sërish forcat e policisë së burgjeve të shoqërojnë të pandehurin Lulëzim Berisha në gjykatë. Mbi këtë të fundit dhe 16 anëtarët e tjerë të kësaj organizate, të ndarë në dysh rëndojnë një lumë akuzash të konsumuara nga ata. Akuzat kapin krime të rënda si vrasje, plagosje, rrëmbime dhe atentate.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›