E Shtunë, 31 Tetor 2026

Protesta, opozita sot në shesh me ushtarakët

 
Ushtarakët në rezervë do të protestojnë sot bashkë me përfaqësues të opozitës
 
TIRANË- Ushtarakët në rezervë nuk do të protestojnë të vetëm sot në sheshin "Skënderbeu". Përkrah mijëra ushtarakëve në shesh do të jetë edhe opozita. Partitë e majta kanë rakorduar qëndrimet e tyre dhe kanë vendosur që të përkrahin këtë kategori ushtarakësh në kërkesat e tyre. Pjesëmarrja është konfirmuar dje nga nënkryetari i grupit kuvendor socialist, Erion Braçe, i cili i ka bërë thirrje të gjithë përkrahësve, dhe të zhgënjyerve nga qeverisja e djathtë që të dalin në shesh. Sipas tij, është absurd fakti që edhe pse Gjykata Kushtetuese ka vendosur t'i japë të drejtë kësaj kategorie, ende qeveria nuk ka marrë asnjë masë për zbatimin e këtij vendimi. Për këtë arsye, ai ka theksuar se është e nevojshme që jo vetëm politika, por të gjithë qytetarët shqiptarë të cilët vuajnë sot pasojat e kësaj qeverisje duhet të bëhen pjesë e një tubimi të tillë. Braçe ka bërë të qartë se për t'i dhënë fund kësaj situate duhet sensibilizim i të gjitha atyre shtresave të shoqërisë që në një mënyrë apo në një tjetër janë në konflikt me qeverinë. "Si grup parlamentar kemi vendosur të përkrahim deri në fund protestën e shoqatave të ish-ushtarakëve. Me këtë rast i bëjmë thirrje të gjithë anëtarëve dhe simpatizantëve të Partisë Socialiste, pa dallim moshe dhe pa dallim formimi, të papunë, njerëz të liruar nga reforma në administratën publike, njerëz të liruar nga reforma në ushtri, njerëz të liruar nga reforma në polici, studentë, të rinj, gra dhe burra që sot vuajnë keqqeverisjen e kryeministrit Berisha të mbështesin nesër me çdo çmim dhe me çdo kosto protestën e ushtarakëve të liruar", - u shpreh Braçe. Gjithashtu ai ka bërë të ditur se në këtë protestë do të marrin pjesë dhe deputetët e partive të tjera opozitare, gjë që është konfirmuar dje për gazetën dhe nga LSI dhe PSD. Ndërkohë, Braçe ka shprehur edhe një herë se PS-ja për këtë çështje gjatë miratimit të buxhetit paraqiti në Kuvend një amendament të sajin, i cili parashikonte një shtesë fondi prej 800 milionë lekësh të reja për të mbështetur apo për të paguar nga ana e qeverisë detyrimet e prapambetura ndaj këtij grupimi shoqëror. Amendament i cili siç dihet, gjatë diskutimit të projektbuxhetit, u rrëzua nga shumica qeverisëse. Ndërkohë vetë organizatorët e këtij tubim-proteste kanë bërë të ditur dje se pjesëmarrja e opozitës në këtë miting është vullnetare dhe jo e pakoordinuar më parë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›