E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nishani-Rama: Po rivendosim raportet

 
Prokurorja e Përgjithshme takon ambasadorin amerikan dhe ministrin e Brendshëm
 
TIRANË- Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama, priti në zyrën e saj në një takim pune ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Xhon Uithers II. Burimet zyrtare pranë zyrës së shtypit konfirmuan lajmin, duke dhënë pak detaje mbi temat e diskutuara mes Ramës dhe përfaqësuesit të SHBA-ve. "Gjatë takimit që zgjati 1 orë,ambasadori i SHBA-së, përveçse uroi kryeprokuroren për emërimin në detyrë, shkëmbeu me të disa mendime rreth intensifikimit të mëtejshëm të bashkëpunimit mes Prokurorisë së Përgjithshme dhe Departamentit të Drejtësisë të SHBA në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit"-thuhet në njoftimin zyrtar. Uithers II ka shprehur mbështetjen dhe vazhdimin e bashkëpunimit dypalësh, duke i ofruar prokurorisë shqiptare edhe asistencë teknike e logjistike. Nga ana e saj, Prokurorja e Përgjithshme, Rama i bëri të ditur ambasadorit prioritetet e saj për reformën në instituciondhe e falenderoi për mbështetjen dhe ndihmën që do t'i jepet në të ardhmen prokurorisë shqiptare. Po gjatë ditës së djeshme, në Prokurorinë e Përgjithshme është parë të hyjë ministri i Brendshëm, Bujar Nishani. Takimi i tij me Ina Ramën ka zgjatur më pak se një orë, ndërkohë që ky takim është cilësuar si hapi i parë për rivendosjen e raporteve mes dy institucioneve, të cilat deri para largimit të Sollakut kanë qenë në luftë të heshtur. "Gjatë takimit të punës u diskutua për rivendosjen e raporteve midis dy institucioneve si dhe rritjen dhe forcimin e bashkëpunimit në luftën kundër kriminalitetit. Më pas u shkëmbyen mendime për gjetjen e metodave efikase brenda kuadrit ligjor, për të rregulluar funksionimin sa më të mirë të seksioneve dhe shërbimeve të policisë gjyqësore pranë prokurorisë",-thuhet në njoftimin zyrtar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›