E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tirana, në dorë të Halilit,“zhduken” donatorët e tjerë

 

Leonard Karaj

Një situatë e paprecedentë për një skuadër kampione. Nga njëra anë janë futbollistët, të cilët pas shpalljes kampion kanë marrë “arratinë” për pushime, nga ana tjetër janë drejtuesit e klubit që kërkojnë grumbullimin e  skuadrës për fazën përgatitore të Kupës së Kampioneve dhe në fund “koka” e presidencës, e cila ka mbetur pezull. Shefi i klubit Rauf Dimraj ka kërkuar që skuadra të mbidhet sot për seancë stërvitore në përgatitje të ndeshjeve të korrikut në kupën e Kampioneve. Por sipas informacioneve asnjë nga futbollistët bardheblu nuk ka dënjuar të japë një përgjitgje pozitive për këtë grumbullim.
Futbollistët 
Fakt është se pesë prej tyre janë në grumbullim me kombëtaren shqiptare (Sefa, Muzaka, Agolli, Memelli dhe Lila) ndërsa tre të tjerë janë me ekipin e Shpresave ndaj për trajnerin Tafaj grumbullimi i skuadrës është gati një mision i pamundur. Por jo vetëm kaq. Disa prej futbollistëve kanë kërkuar garanci pasi ata ende nuk dinë se nëse do të vazhdojnë të jenë pjesë e kësaj skuadre për sezonin e ri apo jo. Kjo sepse kontratat e tyre janë të nëshkruara me presidentin-donator, Refik Halili (Agolli, Muzaka, Osmani, Pezo, Memelli, Devolli) ndërsa pjesa tjetër me ish-shefin e klubit, Eduard Gjini. Ndaj këta të fundit kanë kërkuar të dinë se cila do të jetë vazhdimësia e drejtimit të klubit, nëse do të vazhdojë të jetë në krye presidenti Halili, me të cilin kanë firmosur kontratat apo jo?. Në rast të një rotacioni në krye të presidencës që të gjithë futbollistët e mësipërm do të rishikonin pozicionin e tyre kundrejt skuadrës bardheblu. Ndaj nuk është çudi që emra si Memelli, Devolli e Agolli t’i shohim për sezonin e ri që të veshin fanella të skuadrave të tjera.
Dimraj
Sipas informacioneve konfidenciale dhe mjaft të besueshme shefi i klubit Rauf Dimraj gjatë këtyre ditëve është mundur që të kontaktojë me të gjithë donatorët e skuadrës së Tiranës me qëllimin e vetëm që të zgjidhë sa më parë rebusin e presidencës. I vetmi telefon që i është hapur ka qenë ai i presidentit aktual, Refik Halili, i cili ndër të tjera ka theksuar se nuk ka asnjë problem që të vazhdojë të financojë Tiranën, madje edhe me dëshirën më të madhe sikundër ka bërë edhe gjatë këtij sezoni. Ndërsa donatorët e tjerë, Shefikat Ngjela, Agron Papuli dhe Avni Nuri kanë qenë të padisponueshëm. Madje shefi i klubit është munduar të kontaktojë me këta të fundit edhe nëpërmjet shkresave por pa marrë asnjë përgjigje zyrtare.
Rotacioni
Sipas rregullave të vendosura verën e kaluar, klubi i Tiranës do të drejtohej nga një president i vetëm, i cili do të zgjidhej me short dhe me rotacion për çdo vit mes katërshes së donatorëve. Ndërkohë që të katër donatorët do të financonin njëlloj klubin sikundër të ishin në krye të klubit. Shorti zgjodhi të parin Refik Halilin, i cili drejtoi për sezonin 2008-2009, të dytin Shefikat Ngjelën, e cila duhet të drejtojë për sezonin 2009-2010, të tretin Agron Papulin për 2010-2011 dhe në fund Avni Nurin për sezonin 2011-2012. Por kushti themelor ishte që, të katër donatorët do të sponsorizonin klubin paçka se cili do të ishte në drejtim. Fakt është se për këtë sezon Tiranën e ka financuar vetëm Refik Halili i cili ka konfirmuar se ka harxhuar më shumë se 650 mijë euro. Ndërsa donatorja Ngjela ka dhënë fillim rreth 25 milionë lekë të vjetër, Papuli rreth 9 mijë euro, ndërsa Nuri nuk ka dhënë asnjë qindarkë.
Rebusi
Në këtë gjendje skuadra me në krye trajnerin Alban Tafaj nuk grumbullohet sepse ende nuk ka një drejtues në klub. Ndërsa kryesia e klubit nuk di se cili do të jetë presidenti që do të mbajë përsipër financat e klubit paçka se donatori Halili ka theksuar edhe gjatë këtyre ditëve se nuk ka asnjë problem që të vazhdojë financimin edhe për sezonin e ri. Ndaj në këto kushte më shumë se një Tiranë në grumbullim për fazën përgatitore për Kupën e Kampioneve pritet një Tiranë e strukturura ku mbi të gjitha të duket “koka”, e klubit. Në të kundërt askush nuk vë bast se në ditët në vazhdim nuk mund të thirret një asamble që të vendosë mbi ardhmen definitive të këtij klubi legjendar në Shqipëri.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›