E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pallati, 37 vjet të akuzuarve

 

GJIROKASTER/ PIRO NASE

Prokuroria e Gjiro-kastrës i kërkoi dje gjykatës dënimin me 37.4 vjet burg gjithsej për 7 të pandehurit, të akuzuar si përgje-gjës për shembjen e pallatit më 9 janar. Në seancën e radhës ku u dha pretenca, akuza e përfaqësuar nga Alfred Saliu dhe Arben Pashaj, i dorëzuan gjykatës provat e mbledhura për rreth 10 muaj mbi të cilat bazohej edhe kërkesa e tyre për shpalljen fajtor të të akuzuarve për ngjarjen tragjike. Për rreth 45 minuta, prokurorët lexuan pretencën e cila më së shumti la të shtangur Sotiraq Janorën, pronarin e firmës së ndërtimit “Arti” sh.p.k. Organi i akuzës i kërkoi gjykatës shpalljen e tij fajtor dhe dënimin me 21 vjet burg. Janora i vetmi që ndodhet në dhomat e paraburgimit, është akuzuar për dy vepra penale, “vrasje në rrethana të cilësuara”, si dhe “prishje e pronës me dashje”. Për akuzën e parë prokuroria kërkoi 17 vjet burg, ndërsa për të dytën 3 vjet. Pretenca ka shokuar pronarin e firmës, i cili dukej se priste një masë më të lehtë nga prokuroria. Në sallën e gjyqit nuk ndodhej asnjë përfaqësues i banorëve të pallatit të rrëzuar përveç familjarëve të të akuzuarve. Prokurorët e çështjes kanë vazhduar pretencën, duke kërkuar masat përkatëse të dënimit edhe për ish-zyrtarët e Bashkisë. Kështu, për ish-sekretaren e KRRT-së së Bashkisë së Gjirokastrës, Afërdita Papamihali u kërkua 3.6 vjet burg, si dhe 500 mijë lekë gjobë. Për Alfred Mamanin, ish- përgjegjës i Zyrës së Urbanistikës në Bashki, tre vjet burg si dhe 500 mijë lek gjobë. E njëjta masë u kërkua edhe për Admir Shehajn, ish-inspektor në Inspektoratin e Ndërtimit në Bashkinë e Gjirokastrës. Të gjithë këta u akuzuan për shpërdorim detyre. Prokuroria kërkoi 3.6 vjet burg si dhe 500 mijë lekë gjobë për inxhinierin e firmës “Arti” sh.p.k., Gjergji Meçi. Ndërsa për dy të akuzuarit e fundit për këtë ngjarje Petrit Maksuti, ish-shefi i Policisë Bashkiake dhe Leonard Mustafaraj, akuza kërkoi nga një vit e gjashtë muaj burg si dhe 200 mijë lekë gjobë për secilin. Gjithsej, Prokuroria e Gjirokastrës i kërkoi gjykatës 37.4 vjet heqje lirie për të shtatë të pandehurit si dhe 2.4 milionë lekë gjobë për personat e akuzuar si përgjegjës të tragjedisë së 9 nëntorit të vitit të kaluar, ku humbën jetën tre banorë dhe u plagosën gjashtë të tjerë. Nga ana e saj pala mbrojtëse, e cila gjatë gjithë procesit gjyqësor ka kërkuar pafajësinë për të shtatë të pandehurit, kërkoi një javë kohë për përgatitjen e materialit përfundimtar të mbrojtjes juridike. Seanca gjyqësore e radhës do të zhvillohet në datën 2 nëntor, ku mbrojtja do të thotë fjalën e saj, ndërsa një seancë më pas, gjykata do të japë verdiktin. Ngjarja e dhimbshme me tre viktima, shkaktoi një valë arrestimesh të bujshme nga ana e Policisë së Gjirokastrës, por që mjaft shpejt ato rezultuan të nxituara pasi nga 12 të akuzuar, vetëm shtatë prej tyre ndiqen nga organi i akuzës.

Pretenca për të akuzuarit

• Sotiraq Janora, pronari i firmës së ndërtimit “Arti” sh.p.k, 21 vjet burg
• Afërdita Papamihali, ish-sekretare e KRRT-së 3.6 vjet burg dhe 500 mijë lek gjobë
• Alfred Mamani, ish-përgjegjësi i Zyrës së Urbanistikës në Bashki, 3 vjet burg dhe 500 mijë lek gjobë
• Admir Shehaj, ish-inspektor në Inspektoratin e Ndërtimit në Bashki, 3 vjet burg dhe 500 mijë lekë gjobë
• Gjergji Meci, inxhinieri i firmës “Arti” sh.p.k., 3.6 vjet burg si dhe 500 mijë lekë gjobë
• Petrit Maksuti, ish-shefi i Policisë Bashkiake, 1.6 vjet burg dhe 200 mijë lek gjobë
• Leonard Mustafaraj, një vit e gjashtë muaj burg si dhe 200 mijë lek gjobë

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›