Tentojnë të rrëmbejnë studenten, në pranga
SHKODER - Tentojnë të rrëmbejnë studenten, arrestohen dy të rinj. Ata, pasi kanë pirë një kafe me vajzën 19-vjeçare, në një nga lokalet në afërsi të universitetit të Shkodrës kanë tentuar ta marrin me vete në automjetin e tyre. Meqenëse vajza nuk ka pranuar, ata e kanë marrë me forcë duke e futur në makinë, një Audi 8, me targë TR 6010 S. Por ka qenë ndërhyrja në kohë e policisë që ka bërë të mundur ndalimin e automjetit brenda të cilëve ndodheshin dy të rinjtë dhe studentja. Burimet zyrtare të policisë bëjnë të ditur se rreth orës 17:00 të së martës është kryer arrestimi në flagrancë i shtetasve Aleks Lala, 23 vjeç, lindur në fshatin Mnelë të Komunës Vig-Mnelë-Shkodër dhe banues në Tiranë si dhe Emiljano Bushi, 24 vjeç, lindur në Mirditë dhe banues në Tiranë. Të njëjtat burime sqarojnë se arrestimi i tyre u bë për arsye se këta dy shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë kanosur dhe kanë marrë forcërisht, duke e hipur në automjetin luksoz, në pronësi të Lalës vajzën nga Mirdita, M.M. Me të marrë njoftimin nga ana e forcave të Policisë u bë organizimi i punës dhe u bë e mundur kapja në flagrancë e shtetasve Lala e Bushi, në momentin kur ishin duke u larguar me automjetin e tyre. Nga ana e policisë u kryen të gjitha veprimet procedurale dhe materialet iu kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër për veprat penale të "Heqjes së paligjshme të lirisë e kryer në bashkëpunim" dhe "Kanosjes". r.d