Psikiatria e Vlorës, shpëtimi nga zinxhirët i Fatmir Rashus
FIER - Edhe pse në mënyrë jozyrtare duket se nuk ka munguar dëshira për t’i siguruar një vend pranë psikiatrisë në Vlorë të sëmurit, të “dënuar” në fshatin Levan të rrethit Fier. Fatmir Rashu, 26 vjeç është rasti më i rëndë i bërë publik në media, i cili pas interesimit të saj duket se do të gjejë një mundësi shpëtimi nga zinxhirët. Bluzat e bardha të spitalit të Vlorës kanë kërkuar të njihen me rastin dhe pas një vizite gjithçka pritet të jetë në favor të së riut. Ende nuk është konkretizuar asgjë, pasi duhet që të jetë drejtoresha e këtij institucioni ajo që do të vendos edhe vulën definitive për procedurat. Ky lajm ka sjellë dhe reagimin e spitalit të Fierit.Drejtoresha e këtij spitali, Najada Jahiqi, pohoi se bashkë me një grup inspektimi do të shkojë sot në familjen Rashu, për të verifikuar gjendjen e 26-vjeçarit. Ai, siç treguan dhe familjarët nuk ka marrë asnjë mjekim që prej shfaqjes së sëmundjes mendore rreth 6 vjet më parë. Mungesa e kurimit duket se ka shkaktuar rëndimin e shëndetit të tij mendor, duke u bërë agresiv për familjarët e tij dhe fqinjët. Kjo solli dhe vendimin ekstrem, duke e lidhur prej 3 vitesh këmbë e duar me zinxhirë e duke e “sistemuar” në një kolibe druri, disa metra larg shtëpisë-barake, ku jetojnë 7 anëtarë të tjerë të familjes Rashu. Veç varfërisë së skajshme, sëmundja e Fatmirit 26-vjeçar ka qenë e papërballueshme nga familja. Ndonëse jetojnë shumë pak km larg qytetit të Fierit, një ndër më të mëdhenjtë në vend, familja Rashu nuk ka asnjë lidhje me realitetin. Përfundimi i dokumenteve për transferimin e të riut drejt psikiatrisë së Vlorës pritet të jetë dhe shpëtimi fizik për Fatmir Rashun e më pas rehabilitimi i tij psikik, nën kontrollin e mjekëve specialistë. m.r