E Shtunë, 31 Tetor 2026

Familja e Remzi Hoxhës:Të ekstradohet Ilir Kumbaro

Familjarët e biznesmenit të zhdukur Remzi Hoxha kërkojnë nga drejtësia shqiptare ekstradimin e Ilir Kuimbaros nga Anglia në Shqipëri, me qëllim zbardhjen e të vërtetës për zhdukjen e të afërmit të tyre.
Në një konferencë për mediat, djali i Remzi Hoxhës Ardian Hoxha, ka deklaruar se faktet e reja tregojnë se Ilir Kumbaro është personi përgjegjës.
"Jemi këtu për shkak se është lajmëruar që më 14 tetor Gjykata e Lartë e Shqipërisë kthen për gjykim çështjen e Ilir Kumbaros, ish-shikasit që rrëmbeu, torturoi dhe më pas zhduku babain tim, Remzi Hoxhën, 16 vite më parë. Jemi këtu për t`i treguar Drejtësisë së Shqipërisë se vendimi i tyre i stërvonuar është duke u pritur nga çdo shqiptar, kudo që jeton. Ky vendim do t`i dëshmojë çdo Shqiptari nëse në Shqipëri ka Drejtësi, apo Drejtësia është akoma e uzurpuar nga klanet mafioze shtetërore", ka theksuar Ardian Hoxha.
Sipas tij, për mbi 15 vite Ilir Kumbaro fshihet në Britani të Madhe me identitetin e vjedhur të Shaqa Shatrit dhe faktet tregojnë që ai mund të marrë identitetin e ndonjë personi tjetër .
"Jemi këtu për të kërkuar nga Drejtësia Shqiptare që të vendos për të drejtën, duke urdhëruar ekstradimin e Ilir Kumbaros për në Shqipëri, dhe të na e dëshmojë se në Shqipëri ka drejtësi. Të na dëshmojë se në Shqipëri mund të jetohet. Të na dëshmojë se Shqipëria nuk i zhduk dhe vret më Shqiptarët nga Maqedonia dhe Kosova. Të na dëshmojë se jemi të mirëseardhur në Shqipëri", tha Hoxha ndërsa ka shtuar se e vërteta për vdekjen e biznesmenit Remiz Hoxha nuk është zbardhur prej 16 vitesh.
Ish-kreu i SHIK-ut Ilir Kumbaro akuzohet për zhdukjen e bisnesmenit nga Maqedonia Remzi Hoxha. Biznesmeni shqiptaro maqedonas Remzi Hoxha u rrëmbye në vitin 1995 dhe që prej asaj kohe për të nuk dihet asgjë. Së bashku me të u rrëmbyen edhe Avdyl Loshaj dhe Ziso Kristopulli të cilët, pas torturave, u lanë të lirë. Gjyqi për zhdukjen e Remzi Hoxhës ka nisur që në maj të vitit 2008 dhe konsiderohet si një nga proceset me të stërzgjatura.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›