E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokuroria liron të arrestuarin nga policia për prostitucion në Berat

• BERAT – Prokuroria e Beratit urdhëroi lirimin e një personi të arrestuar nga policia e këtij qyteti, pasi gjykata italiane në Verona e kishte dënuar atë me shtatë vjet burg për shfrytëzim prostitucioni.Burime zyrtare të policisë së Beratit, konfirmuan dje se rreth orës 19:00 të datës 22 shkurt 2008, shërbimet e rendit kanë bërë arrestimin e 46-vjeçarit, Myrteza Toto. Sipas policisë, i arrestuari është banor i qytetit të Beratit ndërsa ndalimi i tij është bërë pasi ai figuronte person në kërkim. Bazuar në të dhënat e policisë, mësohet se i ndaluari ishte shpallur në kërkim me vendim penal të Gjykatës së Veronës në Itali në datën 10 janar 1997, i cili ka marrë formë të prerë më 20 tetor 1997. Sipas policisë, Gjykata e Veronës e kishte dënuar me 7 vjet heqje lirie Myrteza Toton për konsumimin e veprës penale atë të “shfrytëzimit të prostitucionit në rrethana rënduese”, vepër penale e parashikuar nga neni 114/2 të Kodit Penal shqiptar. Pak orë pas ndalimit të 46-vjeçarit Myrteza Toto nga policia dhe shoqërimit të tij në dhomat e paraburgimit të komisariatit të Beratit, dosja penale i ka kaluar Prokurorisë. Organi i akuzës menjëherë sapo ka marrë në shqyrtim dosjen penale ka shqyrtuar arrestin e policisë. Pas kësaj prokurori ka nxjerrë urdhrin “për shfuqizimin e urdhrit të ekzekutimit të Prokurorisë të Beratit”. Me këtë urdhër Prokuroria ka bërë shfuqizimin e masës së sigurisë ndaj shtetasit Myrteza Toto, i cili në zbatim të vendimit të Prokurorisë është lënë i lirë. Ky nuk është rasti i parë i “përplasjeve” mes policisë dhe Prokurorisë për arrestimet e personave të kërkuar me dënime të gjykatave italiane. Edhe më parë policia ka bërë ndalimin e personave, që në listën e Interpolit figuronin të dënuar në Itali për më pas arrestimet e tyre janë cilësuar të paligjshme nga Prokuroria. Mirëpo kohët e fundit Shqipëria dhe Italia kanë nënshkruar një marrëveshje të përbashkët për njohjen dhe zbatimin e vendimeve penale të gjykatave respektive. Nënshkrimi i marrëveshjes erdhi pas negociatave dypalëshe dhe këmbënguljes së palës italiane, e cila ka pretenduar se rreth 200 shqiptarë të dënuar dhe të kërkuar në Itali janë kthyer në vendlindje dhe nuk arrestoheshin nga autoritetet shqiptare.                         d.xh

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›