E Shtunë, 31 Tetor 2026

Familja e denoncoi për dhunë sistematike, arrestohet Ymer Xhediku



Tiranë – Një 42-vjeçar është vënë në pranga nga policia, pasi familja e denoncoi atë për ushtrim sistematik të dhunës. Burime policore thanë për gazetën se dje shërbimet policore të Komisariatit të Policisë Nr. 4 Tiranë kryen arrestimin në flagrancë të shtetasit Ymer Xhediku, 42 vjeç, lindur në Dibër dhe banues në Tiranë. Arrestimi i tij u krye pasi akuzohet se ka dhunuar sistematikisht, fizikisht dhe psikologjikisht, fëmijët dhe bashkëshorten e tij, shtetasen Sh. XH., duke thyer vendimin e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, lëshuar në bazë të Ligjit nr. 9669, datë 18.12.2006 “Për masat ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare”. Materialet në ngarkim të tij i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprën penale “veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”. Sipas burimeve, parandalimi i dhunës në familje, si dhe marrja e masave në kohë të shpejtë për shmangien e ngjarjeve të rënda brenda ambienteve familjare është një ndër prioritetet e Policisë së kryeqytetit. Të njëjtat burime saktësojnë se me hyrjen në fuqi të ligjit “Për masat ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare” vihet re një rritje në ndërgjegjësimin e gruas, si dhe personave të tjerë të dëmtuar në mbrojtjen e të drejtave të tyre dhe denoncimin e dhunës që ushtrohet ndaj tyre.

Bie sërish në pranga 40–vjeçari, hajdut xhepash në autobusin urban

Tiranë – Uniformat blu kanë kapur “gafil” një mesoburrë ndërsa kryente ritualin e zakonshëm të vjedhjes në xhepa. Burimet policore thanë për gazetën se dje shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3 Tiranë kryen arrestimin në flagrancë të shtetasit Alfred Gjolikaj, 40 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë, i dënuar më parë për veprën penale të vjedhjes. Prangosja e tij u krye pasi akuzohet se në autobusin e linjës së Unazës i ka vjedhur në xhep shumën prej 50 mijë lekësh shtetasit Xh. H. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprën penale të “vjedhjes”, parashikuar nga neni 134 i Kodit Penal

21 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›