G99 në Elbasan: Qeveria shqiptare e paaftë si në politikën e brendshme, edhe në diplomaci
Erion Veliaj ka përsëritur se shteti shqiptar, sidomos politika e jashtme shqiptare, duhet të jetë më aktive në mbrojtje të interesave të bashkëkombasve në Kosovë si dhe në emigracion. Në një prezantim publik të Lëvizjes G99 në qytetin e Elbasanit, Veliaj bëri thirrje për një angazhim më të fortë qytetar për të ndryshuar politikën dhe mënyrën e qeverisjes. Një element i rëndësishëm i një politike të re, sipas Veliajt, është dhe një shtet që nuk rri indiferent përballë zhvillimeve shqetësuese jashtë kufijve të tij por që prekin interesat e qytetarëve dhe bashkëkombasve të tij. Veliaj u bëri thirrje të rinjve për t’u organizuar dhe angazhuar në jetën publike në mbrojtje të interesave të së ardhmes së tyre. Veliaj premtoi për studentët në Elbasan se do të rikthehej së shpejti për të prezantuar aty librin e sapolançuar në treg të presidentit amerikan Barak Obama. Prezantimi në Elbasan vijon turin e Veliajt dhe të aktivistëve të G99-s për të konsoliduar degët e saj në qytetet kryesore dhe qendrat universitare të vendit.
Kolegji Amerikan i Tiranës përkujton me poezi e këngë Kongresin e Manastirit
100-vjetori i Kongresit të Manastirit u festua nga Kolegji Amerikan i Tiranës, në ambientet e Universitetit Amerikan të Tiranës”, përmes një organizimi të veçantë të mësuesve dhe nxënësve. Ceremonia festive startoi me himnin kombëtar duke krijuar një moment solemn mes të pranishmëve. Nxënësit e Kolegjit Amerikan të Tiranës recituan vargje nga poetët pjesëmarrës në Kongresin e Manastirit si dhe kënduan këngë patriotike që i kushtohen kësaj dite historike për vendin tonë. Nxënësit e Kolegjit Amerikan të Tiranës përkujtuan në një ambient miqësor dhe kulturor ditën e njehsimit të alfabetit të gjuhës shqipe, si dhe punën e palodhur të rilindasve shqiptarë. Pjesëmarrësit u njohën me prejardhjen e shkrimit të alfabetit të gjuhës shqipe. Kjo ceremoni e veçantë u zhvillua në përkujtim të 100-vjetorit të Kongresit të Manastirit ku u hartua alfabeti i sotëm i gjuhës shqipe. Kongresi i Manastirit mbahet mend si një ngjarje me rëndësi politike, kulturore dhe arsimore për shqiptarët. Delegatët e këtij kongresi, të mbledhur në Manastir nga data 14 deri më 22 nëntor të vitit 1908, vendosën që gjuha shqipe të mos shkruhej më me të ashtuquajturin alfabet të Stambollit, por me 36 shkronja latine.
21 Nentor 2008