E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kodi, vëzhguesit më shumë të drejta në numërimin e votave

Kontestimet e vëzhguesve për parregullsi do të merren parasysh nga grupet e numërimit. Vëzhguesit e subjekteve zgjedhore, rol aktiv në procesin e numërimit

Shaban Sulçe

Ndryshe nga zgjedhjet e kaluara, Kodi i ri Zgjedhor u jep të drejta të plota vëzhguesve të partive politike për të kontestuar parregullsitë e mundshme që mund të lindin gjatë procesit të numërimit të votave. Një gjë e tillë është sanksionuar në kapitullin e vlerësimit dhe të numërimit të votave të Kodit të ri Zgjedhor, të votuar me shumicë votash nga Partia Socialiste dhe Partia Demokratike. Kështu, vëzhguesit e subjekteve zgjedhore do të kenë të drejtë që të ndërhyjnë në rastet kur konstatojnë parregullsi në procesin e vlerësimit të votave, nëse ato janë të rregullta ose jo. Gjithashtu ata do të kenë të njëjtën të drejtë të kontestojnë në rast se hasin parregullsi në procesin e numërimit të votave, si dhe do të kenë mundësinë që të zotërojnë tabelën përmbledhëse të rezultatit të zgjedhjeve nga komisionet zonale të administrimit të zgjedhjeve.

Numërimi i votave

Vëzhguesit e subjekteve zgjedhore do të kenë të drejtë të ndjekin nga afër procesin e numërimit të votave. Në rast se ata do të konstatojnë parregullsi, kreu i Komisionit të Numërimit të Votave do të jetë i detyruar të rifillojë numërimin. Një gjë e tillë është sanksionuar në kapitullin e numërimit të votave në Kodin e ri Zgjedhor. “Numëruesi i parë numëron fletët e votimit të papërdorura dhe në përfundim të numërimit ua bën të ditur shifrën anëtarëve të grupit të numërimit dhe vëzhguesve të subjekteve zgjedhore. Anëtari tjetër i grupit të numërimit bën verifikimin e shifrës së deklaruar me atë që është shënuar në proces-verbalin për mbylljen e votimit. Nëse shifrat nuk përputhen, ose nëse kërkohet rinumërim nga ndonjë prej anëtarëve të grupit të numërimit ose vëzhguesve të subjekteve zgjedhore, numëruesi i parë është i detyruar të rifillojë numërimin. E njëjta gjë parashikohet edhe për numrin e fletëve të votimit të dëmtuara, numrin e zgjedhësve dhe numrin e fletëve të përdorura. Pas kësaj numëruesi i parë vendos mbi tryezë kutinë e votimit dhe e hap atë duke këputur vulat me kodet e sigurisë. Numëruesi i parë dhe anëtarët e grupit të votimit nxjerrin nga kutia fletët e votimit dhe zarfin me procesverbalin e vulosjes, i shpalosin fletët e votimit dhe i vendosin mbi tryezë me pjesën e pasme të fletës nga ana e sipërme. Fletët e votimit të stivuara numërohen nga numëruesi i parë, i cili në përfundim të numërimit ua bën të ditur shifrën vëzhguesve të subjekteve zgjedhore. Shifra e deklaruar verifikohet me shifrën që del nga diferenca e numrit të fletëve të votimit të përdorura me numrin e fletëve të votimit të dëmtuara. Nëse shifrat nuk përputhen ose nëse kërkohet nga ndonjë prej anëtarëve të Grupeve të Numërimit, ose vëzhguesve të subjekteve zgjedhore Grupi i Numërimit është i detyruar të rifillojë edhe njëherë numërimin e fletëve të votimit. Në rast se nga verifikimet e kryera konstatohen pasaktësi ose parregullsi, atëherë grupi i numërimit ose cilido nga vëzhguesit e subjekteve zgjedhore që bën konstatimin, njofton menjëherë KZAZ-në për mospërputhjet. Njoftimi bëhet me ngritjen e dorës dhe pa lëvizur nga vendi. Ngritja e dorës pezullon çdo veprim të mëtejshëm të grupit të numërimit, derisa KZAZ-ja të njihet me çështjen dhe ta verifikojë atë. Në rast se KZAZ-ja konfirmon pasaktësinë ose parregullsinë, e pasqyron atë në procesverbalin e konstatimit”, - thuhet në Kodin e ri Zgjedhor.

Vlerësimi i votave

Në kapitullin e Kodit Zgjedhor që ka të bëjë me vlerësimin e votave, vëzhguesve të subjekteve zgjedhore u sanksionohet e drejta që jo vetëm të kontestojnë, por edhe t’u merren parasysh kontestimet, në rastet kur ata nuk janë dakord me vlerësimet e kryetarit të grupit të numërimit në rast se vota është e vlefshme ose jo. Sipas këtij kapitulli, kreu i grupit të numërimit është i detyruar që t’i marrë parasysh këto kontestime. “Nëse anëtarët e grupit të numërimit dhe vëzhguesit e subjekteve zgjedhore në numërim janë dakord me vlerësimin, fleta e votimit ndahet sipas vlerësimit dhe kryetari merr fletën tjetër të votimit. Nëse ndonjë anëtar i grupit të numërimit ose ndonjë prej vëzhguesve të subjekteve zgjedhore s’është dakord me vlerësimin e kryetarit, kryetari e vendos fletën e votimit të kundërshtuar në një vend të veçantë për fletët e votimit të kontestuara dhe vijon me fletën tjetër të votimit”, - thuhet në këtë kapitull. Pra kuptohet qartë se vëzhguesit e partive që nuk do të kenë mundësi përfaqësimi në komisionet e numërimit të votave, do të kenë të drejta të plota që të kontestojnë rastet kur dyshohet për vota të manipuluara apo për numërim të gabuar të tyre.

Nxjerrja e rezultatit
E njëjta gjë mund të thuhet për vëzhguesit e subjekteve zgjedhore edhe për nxjerrjen e rezultatit gjatë procesit të numërimit të votave. Gjithashtu vëzhguesve do t’u jepet menjëherë tabela origjinale e rezultateve të votimit. “Pas numërimit dhe vlerësimit të votave për çdo kuti me fletë votimi, numëruesi i parë numëron votat për çdo subjekt, duke filluar sipas renditjes së subjekteve në fletën e votimit. Pas çdo numërimi, shifrën ai ua bën të ditur anëtarëve të grupit të numërimit dhe vëzhguesve të subjekteve zgjedhore. Nëse kërkohet nga ndonjë anëtar i grupit të numërimit, numëruesi i parë është i detyruar të rifillojë edhe njëherë numërimin e votave për atë kandidat. Në përfundim të kësaj procedure, numëruesi i parë, së bashku me anëtarët e tjerë të grupit të numërimit, plotëson tabelën e rezultateve për atë qendër votimi, sipas formularit tip të përcaktuar nga KQZ-ja. Tabela origjinale e rezultatit të votimit, duke përfshirë edhe kundërshtimet, i dorëzohet menjëherë dorazi KZAZ-së nga grupi i numërimit. Kopje të tabelës së rezultateve i jepet çdo anëtari të grupit të numërimit dhe vëzhguesve të subjekteve zgjedhore. Një kopje i dërgohet menjëherë në rrugë elektronike KQZ-së.

Llojet e fletëve të votimit

Votat e pavlefshme janë kur:
- fletët e votimit nuk kanë të njëjtën madhësi, ngjyrë ose formë me fletën e votimit të miratuara nga KQZ-ja;
- kur fletës së votimit i mungon vula, kur në të janë bërë shënime apo shenja që e bëjnë të pamundur vlerësimin e votës;
- kur në fletën e votimit janë bërë shënime në favor ose në disfavor të subjekteve të caktuara zgjedhore;
- kur është votuar më shumë se një nga subjektet zgjedhore në fletët e votimit;
- kur nuk është votuar për asnjë nga subjektet zgjedhore, kur nuk është e qartë se për kë është votuar;
- kur zgjedhësi ka votuar për një subjekt që nuk është në fletën e votimit.

Komisionet zgjedhore

KQZ - përbërja 6+1

Komisionet e votimit - përbërja 6+1

Komisionet Zonale të Administrimit të votave - 6+1

Komisionet e Grupeve të Votimit - 6+1

Përfaqësuesit në komisione - 2 PD, 1 PR, 2 PS, 1 PSD

21 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›