E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi: “Administrata shtetërore pengon zbatimin e vendimeve te Gjykates”

Konstatimi, nuk janë ekzekutuar vendimet e Gjykatës së Lartë për 8868 çështje. Kreu i shtetit mbledh anëtarët e Gjykatës së Lartë, të KLD-së dhe ekspertë të Drejtësisë

Luan Kondi

Tiranë - Presidenti i Republikës, Bamir Topi, e ka cilësuar fiktive dhënien e drejtësisë në Shqipëri. Kreu i shtetit ka shfrytëzuar mbledhjen e anëtarëve të Gjykatës së Lartë dhe të Këshillit të Lartë të Drejtësisë për të denoncuar rastet pa mbarim të moszbatimit të vendimeve të Gjykatës së Lartë duke e quajtur këtë situatë si skandaloze.
Konstatimi
Në fjalën e tij Presidenti i Republikës është shprehur për shumë defekte që po “mundojnë” sistemin e Drejtësisë, kur ndër më kryesoret është mungesa e bashkëpunimit në struktura të caktuara të Drejtësisë, që sipas kreut të shtetit po funksionojnë me korniza të mbyllura, apo vetësugjestioni që po karakterizon KLD-në. Në cilësinë e kryetarit të KLD-së, presidenti Bamir Topi zhvilloi dje një takim për drejtësinë mes KLD-së, Gjykatës së Lartë dhe ekspertëve të Drejtësisë. Duke u bazuar mbi progres-raportin e Komisionit Europian, Topi tha se “raporti kishte vlerësim realist dhe profesional, por ka ende punë për të bërë në fushën e Drejtësisë, pasi hasen shumë defekte dhe probleme”. Në vijim presidenti Topi e vuri theksin te Gjykata e Lartë, e cila, sipas tij, ka lënë pa ekzekutuar rreth 3/5 e vendimeve. “Janë 8868 çështje që kanë vendim të formës së prerë nga Gjykata e Lartë, po që s’janë ekzekutuar. I bëj thirrje gjykatës dhe prokurorisë t’i japë fund ekzekutimit të tyre”, - u shpreh Topi. Ai e konsideroi skandaloz faktin që njerëz në administratën shtetërore pengojnë zbatimin e vendimeve të formës së prerë të Gjykatës së Lartë.
Reforma
Duke e ndalur fjalën te reforma në Drejtësi, presidenti kërkoi që kjo reformë të jetë vizionare dhe integrale. Ai ka theksuar se kjo reformë duhet të zhvillohet jo mbi bazë të interesave të çastit apo lobiste. “E papranueshme që struktura të veçanta, qoftë edhe në Drejtësi, të funksionojnë në korniza të mbyllura. E vetmja që i ndan pushtetet është Kushtetuta”, - vijoi presidenti, duke kërkuar në këtë prizëm vendosjen e urave të rëndësishme të bashkëpunimit. “Është e drejta e politikës të flasë për reformën në Drejtësi”, - tha presidenti Bamir Topi, duke shtuar se kjo e drejtë duhet të realizohet jashtë interesave. Duke propozuar krijimin e strategjive afatgjata për reformën në Drejtësi, Presidenti i Republikës vuri edhe njëherë në dukje gjatë mbledhjes se “Drejtësia nuk është segment që funksionon në ajër”.

21 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›