Pagoi në lokal kafen me para të falsifikuara, ndalohet Florent Shtino
Tiranë – Dyshohej se përdorte kartëmonedha të falsifikuara, ndaj policia e ka ndaluar 37 – vjeçarin. Burime nga Drejtoria e Policisë së Tiranës bënë me dije se specialistët e Seksionit kundër Krimit Ekonomik e Financiar kryen dje arrestimin në flagrancë të shtetasit Florent Shtino, lindur dhe banues në Tiranë. Arrestimi i tij u krye pasi akuzohet se në një lokal në Rrugën e Kavajës ky shtetas ka paguar pijet e konsumuara duke përdorur kartëmonedha të dyshuara si të falsifikuara. Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua dhe bllokua shuma prej 1500 lekë që shtetasi Florent Shtino ka paguar në lokal si dhe 3500 lekë që iu kapën në flagrancë. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprën penale “falsifikim i monedhave”.
Identifikimi, Bakri Alla është viktima e aksidentit në aksin “Kavajë – Rrogozhinë”
Tiranë - Nga verifikimet e kryera nga shërbimet e policisë rezultoi se viktima e aksidentit të dy ditëve më parë në rrugën Kavajë – Rrogozhinë është shtetasi Bakri Alla, 59 vjeç, lindur dhe banues në Librazhd. Dy ditë më parë në kanalin anësor të rrugës Kavajë - Rrogozhinë, në jug të degëzimit të Ballutajt u gjet një kufomë e seksit mashkull. Nga këqyrja e kufomës në trupin e tij u gjetën dëmtime të ndryshme me karakteristikë të traumës automobilistike, ndërsa nga këqyrja e vendit të ngjarjes u gjetën dhe fiksuan në cilësinë e provës materiale mbetje të copave të stopit të lëna nga mjeti që ka kryer aksidentin. Nga shërbimet policore të Komisariatit të Policisë Kavajë u kryen veprimet procedurale dhe janë dërguar materialet në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Kavajë për veprën penale të “Shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “largim nga vendi i aksidentit”. Uniformat blu të Komisariatit të Kavajës po punojnë për identifikimin dhe kapjen e autorit.
21 Nentor 2008