E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lumenj hashashi me skafe përmes detit

21/02/2010 Qindra kilogramë drogë prej vitit 2005 niseshin nga Shqipëria, përfundonin në Itali

“Lindja e diellit” zbulon 36 anëtarë të rrjetit shqiptaro-italian, të përzier grekë e belgë

TIRANE- Trafikantët ndërkombëtarë të hashashit preferonin lindjen e diellit për të lënë në brigjet e Salentos në Itali skafet me drogë e për rrjedhojë operacioni për kapjen e 36 anëtarëve të këtij rrjeti u kodua “Lindja e diellit”. Sipas dokumentacionit të ardhur nga Prokuroria e Leçes, anëtarët shqiptarë të rrjetit në bashkëpunim me grupe kriminale greke, italiane e belge kanë mundur të trafikojnë në brigjet e shtetit fqinj një sasi të konsiderueshme lënde narkotike, e cila nga përllogaritjet kap shifrën e 1 ton e 300 kg marjuanë si dhe 10 kg heroinë. Ndërsa për sa i përket anës financiare ajo kap shifrën e 2 milionë eurove. Në total janë prerë 35 urdhër arresti, ku deri tani janë ekzekutuar 23 prej tyre. Nëntë persona, janë proceduar nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, midis të cilëve 5 janë vënë në pranga dhe katër të tjerë janë shpallur në kërkim nga policia e shtetit. Mësohet se Mareglen Hallka dhe Fatbardh Kapllanaj, dy nga 5 të arrestuarit aktualisht ndodhen në burg, pasi janë arrestuar në vitin 2007 gjatë operacionit të koduar “Vjosa 2007”. Ndërkohë që tre personat e tjerë të vënë në pranga quhen Pilo Zanaj, Daniel Likaj dhe Artur Demaj, që të gjithë lindur dhe banues në fshatin Kaninë të Vlorës. Operacioni për shkatërrimin e këtij rrjeti kriminal është shtrirë në katër shtete si: Shqipëri, Greqi, Itali dhe Belgjikë vende këto ku grupi nëpërmjet korrierëve të ndryshëm trafikonte dhe shpërndante drogën në gjysmën e shteteve evropiane. Hetimet kanë treguar se lënda narkotike, mblidhej në disa zona pranë gadishullit të Karaburunit në Vlorë, si dhe një pjesë tjetër, transportohej nga fshati Lazarat që njihet ndërkombëtarisht për kultivimin e marjuanës.

Sfidohet moratoriumi

Mareglen Hallka dhe Fatbardh Kapllanaj së bashku edhe me 7 të proceduarit dhe 11 të arrestuarit e tjerë gjatë operacionit “Vjosa 2007”, nëpërmjet gomoneve që niseshin nga bregdeti i Jonit, arrinin të sfidonin moratoriumin e vënë nga qeveria shqiptare për bllokimin e skafeve dhe mjeteve lundruese në det. Disa herë ata kanë transportuar marjuanë dhe heroinë që vinte nga Afganistani dhe Maqedonia, por realisht në asnjë rast nuk janë bllokuar nga roja bregdetare shqiptare, e cila është edhe struktura përgjegjëse për zbatimin e ligjit të moratoriumit.

Lajmi në Itali

Menjëherë pas lajmit të bujshëm mediat italiane nxituan të japin informacione rreth këtij operacioni, duke mos harruar ta cilësojnë si një ndër më të fuqishmit. Sipas tyre, i gjithë operacioni u koordinua nga seksioni i Antimafies në Leçe, teksa hetimet kishin nisur që prej vitit 2005. Gjithnjë, duke iu referuar medieve italiane mësohet se operacioni i koduar “Sunrise” çoi në arrestimin e 36 personave, teksa qëndrojnë të vlefshme edhe 56 denoncime. Sekuestrimi i parë i hashashit ishte mundësuar në marsin e vitit 2005, kur në Otranto ishin kapur 277 mijë kilogramë hashash, e mbërritur në Salento nga Shqipëria, nëpërmjet gomoneve. Nga ky moment hetimet nuk ishin ndërprerë për asnjë moment, teksa mediat italiane raportojnë edhe sasitë e bllokuara ndër vite. Kësisoj bëhet fjalë për 1 ton e 300 kg hashash, 10 kg heroinë, një pistoletë ruse e kalibrit 45 që përmbante 38 fishekë (e kapur në Frigole, Leçe si dhe është zbuluar transportimi i 500 kilogramëve të tjerë hashashi. Teksa vendet protagoniste të këtij trafiku ishin Italia, Greqia dhe Belgjika. Destinacioni paraprak, pas nisjes nga brigjet shqiptare ishte Salento, pika më në lindje të Italisë. Mes të arrestuarve janë edhe 6 italianë. Kështu, bëhet fjalë për Alessandro Parrella, 44 vjeç, Sebastiano Vacirca, 45 vjeç, Natale Ciçiari, 74 vjeç, Gianfranco Grimaldi, 44 vjeç, Dario Sferrazzo, 27 vjeç dhe Maurizio Cannoletta, 46 vjeç. Ndërkaq, për sa i përket sasisë së drogës, mësohet se ajo ishte e cilësisë më të mirë, e prodhuar në Shqipëri, ndërsa heroina vinte nga Mesdheu.

Ina Rama në Itali

Dje në mëngjes shefat e Prokurorisë së Leçes dhe Guardia Di Financa e kësaj zone, respektivisht Cataldo Motta dhe Patrizio Vezzoli, pritën Kryeprokuroren shqiptare Ina Rama, kreun e Krimeve të Rënda, Olsian Çela, si dhe kreun e Hetimit të Krimeve në Ministrinë e Brendshme, Agron Kuliçaj. Kryesisht u theksua fryma e bashkëpunimit të vazhdueshëm mes ekspertëve të të dyja palëve, shqiptare dhe italiane, teksa Ina Rama u shpreh se “Falënderoj Italinë për bashkëpunimin, i cili do ta vazhdojë në këtë rrugë, për të përfunduar edhe të tjera operacione me rëndësi të ngjashme”. Ndërkaq, u theksua gjithashtu se ky operacion u mundësua falë bashkëpunimit mes Guardia di Financa, drejtorisë qendrore të antidrogës, Interpolit, policisë shqiptare, asaj greke dhe belge. Kurse nënsekretari i Ministrisë së Brendshme italiane, Alfredo Montavio, u shpreh se “Operacioni kundër këtij trafiku ndërkombëtar të drogës i drejtuar nga forcat e policisë shqiptare dhe asaj italiane është i një rëndësie të madhe për sa i përket sasisë së bllokuar të drogës, kështu që duhet të falënderohen të gjithë pjesëmarrësit dhe të shpresohet që ky bashkëpunim do të vijojë edhe në të ardhmen”.

Italianë të arrestuar

Alessandro Parrella

Sebastiano Vacirca

Natale Ciçiari

Gianfranco Grimaldi

Dario Sferrazzo

Maurizio Cannoletta

Shqiptarë të arrestuar

Mareglen Hallka (në burg)

Fatbardh Kapllanaj (në burg)

Pilo Zanaj

Daniel Likaj

Artur Demaj

Sekuestruar

1300 kg hashash

10 kg heroinë

Një pistoletë

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›