E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkodra rrezikon sërish përmbytjen

RESHJET/ 10 banesa në Ashtë rrezikojnë të shemben për shkak të rrëshqitjes së dheut dhe forcës së lumit Drin


Në fshatin Obot uji ka vajtur 30 cm në rrugë. Banorët: Duhej të ishte pastruar kanali që përmbyt fshatin


SHKODËR - Rishfaqen problemet e para të një përmbytjeje tjetër të mundshme në zonën e Nënshkodrës. Luhatja e temperaturave, reshjet e vazhdueshme të shiut dhe shkarkimet nga vendet fqinje, që ndikojnë në regjimin e lumejve e liqeneve tona, kanë risjellë hapjen e portave të shkarkimit në hidrocentralet e Komanit dhe Vaun e Dejës.


Kjo është pohuar nga drejtuesit e KESH-it, por dhe nga ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, i cili qe të dielën në Shkodër në mbledhjen e shtabit të emergjencës. Sipas Bashës, situata është nën kontroll dhe nuk paraqitet problematike, por ajo është dinamike dhe varet nga temperaturat, si dhe shkarkimet nga fqinjët në lumin Drin nga Maqedonia dhe në Liqenin e Shkodrës nga Mali i Zi.


Shkarkimet nga Komani dhe Vau i Dejës janë 1200 metër kub ujë/secondë dhe kjo do të vazhdojë edhe për 24 orë. Sipas Bashës, janë thirrur të gjitha institucionet dhe agjencitë e angazhuara në situatën e përmbytjeve të janarit dhe situate po monitorohet hap pas hapi.


Të hënën (sot) do të ketë një rivlerësim të gjendjes për të parë ndërhyrjet e mundshme, ndërsa shkarkimet do të vazhdojnë. Basha ka ritheksuar se institucionet e shtetit janë në gatishmëri për të ndërhyrë në çdo moment dhe po ndjekin me vëmendje situatën.


Ministri Basha i shoqëruar dhe nga drejtori i Përgjithshëm i Emergjencave Civile, Alfred Olli, dhe drejtuesit më të lartë vendorë të Shkodrës kanë parë konkretisht situatën në fshatin Ashtë të komunës Bushat dhe në fshatin Obot të komunës Ana e Malit, ku janë rishfaqur probleme.


Kështu, në fshatin Ashtë ka rrëshqitje toke dhe gërryerje të saj nga lumi Drin, duke rrezikuar disa banesa. Forca të ushtrisë janë angazhuar për të depozituar inerte që të pengohet marrja e tokës nga lumi Drin, i cili e ka shtuar rrjedhën e tij.


Janë 10 banesa në fshatin Ashtë që rrezikojnë të shemben si pasojë e shtimit të rrjedhës së lumit Drin. Kryetari i komunës Bushat, Zef Hila, shprehet për gazetën "Shekulli" se situata në fshatin Ashtë është e ndërlikuar pasi nga rrjedha e lumit Drin rrezikohen të shemben e mbulohen me ujë 10 banesa në një gjatësi rreth 1 km.


Sipas një projekti emergjent të hartuar nga komuna dhe të miratuar nga prefektura, forcat e ushtrisë po ndërtojnë një pritë rreth 20 metër linear të gjatë, duke depozituar aty materiale inerte dhe pjesë të mëdha betoni të fortë, të marra nga vendet e fortifikimit të dikurshëm, me qëllim që të ndalohet forca e ujit të lumit Drin. Komuna ka vënë në dispozicion të banorëve të rrezikuar 10 çadra, ndërsa janë larguar bagëtitë.


Banorët e shtëpive të rrezikuara kanë të afërmit e tyre ku mund të strehohen, por bagëtitë janë larguar pasi stallat e tyre janë më afër ujit që po gërryen tokën, ndërsa shtëpitë më larg, thekson Hila.


Në fshatin Obot, rruga lidhëse e tij me pjesën tjetër është mbuluar nga uji që ka kaluar 30 cm dhe me mjete të vogla nuk mund të kalohet. Banorët e Obotit, fshatit që izolohet nga uji sa herë që hapen portat e hidrocentralit të Vaut të Dejës, i frikësohen rikthimit të përmmbytjeve, dhe kjo më së shumti për bagëtinë dhe bazën ushqimore të saj. "E kam blerë bazën ushqimore pasi ajo që kisha mbaroi nga uji i përmbytjes. Nuk kam ku e çoj. Ajo duhet ngritur shumë lart që të mos e zërë uji.


Nuk kam mundësi ta riblej më. Mirë një herë mbaroi, e mori uji duke e nxjerrë jashtë përdorimit, tani e bleva se nuk kam me çfarë ushqej bagëtinë, por kam frikë se po lëshojnë përsëri ujë dhe atëherë mbaron gjithçka", -shprehet V.Preka, banor i Obotit. Ndësa një tjetër banor i këtij fshati shton se në rastin e përmbytjeve të para 70 dele dhe 40 qengja i ka vendosur në fshatin Oblikë me qëllim që të shpëtonin. Atje nuk ka vathë dhe faleminderit atyre që më mbajtën bagëtinë.


Tani që kam ardhë, kam frikë se uji po rikthehet. Kam blerë 10 kv sanë se ajo që kisha, u bë e papërdorshme nga uji dhe ka rrezik që ajo së bashku me bagëtitë të mbarojnë, pasi nuk kam ku i çoj më.


Më ndihmuan njëherë, por atje nuk ka vathë dhe me shumë vështirësi i mbajtën derisa u kthyem. Uji ka hyrë në arën e mbjellë me misër. Le ta marrë atë, po kam hallin e bagëtive dhe ushqimit për to",- shprehet ai. Të tjerë banorë të Obotit thonë se këto ditë pas përmbytjes, kur iku uji, duhej të ndërhyhej për pastrimin e kanalit, se ai e mbyt këtë fshat, por kjo nuk u bë dhe tani uji ka mbuluar rrugën dhe shpejt ndoshta do të rikthehet kudo.


Të pakënaqur dhe nga shuma prej 1 mijë eurosh dëmshpërblim për dëmet e përmbytjes së janarit, banorët e Obotit thonë se shumë dëme nuk janë shënuar dhe se me atë shumë nuk arrijnë të vënë në vend asgjë nga ato që kanë humbur. Tre kilometra të rrugës hyrëse të Obotit është mbuluar nga uji i ardhur si pasojë e shkarkimeve që vazhdojnë të bëhen.


Në fshatin Ças të komunës Velipojë vazhdon të ketë prani të ujit që nga përmbytjet e janarit dhe, sipas prefektit Cungu, hidrovori i Çasit po vazhdon të punojë me kapacitet të plotë.


Si pasojë e reshjeve të ditëve të fundit ka një rritje të nivelit dhe në lumin Kir, si dhe në liqenin e Shkodrës, ndërsa mësohet se dhe në grykëderdhjen e lumit Buna ka përsëri probleme që pengojnë derdhjen e ujit të saj në det.

******************

Liqeni në Koman, 172,32 metër
Prurjet 600 metër kub ujë/sekondë
Liqeni i Vaut të Dejës, kuota 75,14 m
Shkarkimi nga porta e Zadës e hapur 5 m
Prurjet 800 metër kub ujë/sekondë


Parashikimi, luhatje anormale të temperaturave


Vendi ynë është përfshirë nga anomalitë klimaterike dhe brenda 48 orëve është mbizotëruar nga rryma afrikane dhe skandinave. Madje, sinoptikanët parashikojnë që muaji shkurt do të karakterizohet nga paqëndrueshmëri dhe luhatje të theksuara të temperaturave.


Dita e hënë do të nisë me reshje dëbore në zonat malore, dhe me ulje të temperaturave minimale me 3 gradë celcius. "Pasnesër do të vazhdojë shiu dhe bora në verilindje e juglindje.


Deri të enjten do të karakterizohemi nga paqëndrueshmëri të motit, me përmirësim të premten",- shpjegoi Mimoza Demiri duke shtuar se vetëm ditën e premte do të ketë një përmirësim të kushteve të motit në të gjithë vendin. "Por kjo nuk do të vazhdojë gjatë", pohon Demiri. Shkurti ka regjistruar temperaturat më të ulëta të dimrit. Ditët më të ftohta arritën deri 15 gradë nën zero. E.Bardhi

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›