E Shtunë, 31 Tetor 2026

Trafikonin hashash Lazarat-Greqi, kapen në Gjirokastër

GJIROKASTËR- 75 kilogramë lëndë narkotike e marrë në fshatin Lazarat e me destinacion Greqinë janë bllokuar në qytetin e Gjirokastrës. Në pranga kanë përfunduar dy zotëruesit e marijuanës, që do të bënin edhe transportimin e saj.


Ka qenë një telefonatë anonime e mbërritur në Sallën Operative të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Gjirokastër ajo që ka dhënë sinjalizimet për këtë rast të trafikimit të lëndëve narkotike.


Telefonuesi anonim ka treguar vendin ku ndodhej lënda narkotike, prej nga edhe do të ngarkohej nga dy shtetasit e arrestuar tashmë. "Ka ardhur një telefonatë anonime se në vendin e quajtur "Shkëmbi mbrapa kalasë" në lagjen "Pllakë" të qytetit Gjirokastër ishin disa çanta të mëdha shpine të mbushura plot.


Po në këtë vend ishin dy shtetas të cilët po i transportonin këto çanta te një automjet tip "Benz", i cili ndodhej përballë tunelit të kalasë në rrugën që të çon në lagjen "Manalat" të qytetit Gjirokastër.


Menjëherë pas këtij informacioni specialistët dhe agjentët organizuan punën për të verifikuar këtë informacion, duke bërë rrethimin e zones, si dhe duke mos lejuar asnjë automjet të qarkullonte në atë drejtim", thuhet në njoftimin zyrtar të policisë në lidhje me këtë ngjarje.


Mësohet se në momentin e ndërhyrjes nga ana e policisë, dy çanta janë bllokuar në bagazhin e automjetit, ndërsa është ndaluar edhe drejtuesi i mjetit. Çanta e tretë është bllokuar në vendin ku i kishin fshehur së bashku me shtetasin tjetër, i cili po e merrte për ta çuar tek automjeti.


Në total është bllokuar një sasi prej 75 kilogramësh marijuanë, e papaketuar, në gjendje të presuar të ngjeshur, ndërsa janë arrestuar në flagrancë Agim Merdani, 44 vjeç, lindur dhe banues në Tepelenë, i cili është dhe drejtuesi i automjetit tip "Benz" me targa TP 2906 B, me të cilin do të transportonin lëndën narkotike, si dhe Flamur Muçodemi, 42 vjeç, lindur në Tepelenë dhe banues në Durrës.


Burime zyrtare të policisë kanë bërë të ditur se nga veprimet e para hetimore ka rezultuar se lëndën narkotike këta shtetas e kishin blerë në fshatin Lazarat të rrethit Gjirokastër dhe do ta çonin në drejtim të shtetit grek. "Trafik i lëndëve narkotike" është vepra penale që rëndon mbi dy të arrestuarit, ndërsa po punohet për zbardhjen e plotë të këtij rasti trafiku.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›