E Diel, 1 Nëntor 2026

Familja që i jep jetë fshatit të braktisur në Pukë

PUKË- Mungesa e shërbimeve jetike dhe infrastruktura prej 20 vitesh po braktisin dita ditës fshatrat në veri të Shqipërisë. Një ndër rrethet ku fenomeni vërehet më shumë është Puka, ku jo rrallë mund të gjesh fshatra të boshatisur. I tillë është edhe fshati Qafat e Kuqe në komunën e thellë të Fierzës.

Mungesa e një rruge automobilistike dhe e shërbimeve jetike ka bërë që kullat shekullore të boshatisen. Fshati të ngjan me një zonë të braktisur nga pamundësia për të jetuar, ndërsa dëshmitë se aty deri pak vite më parë jeta ishte e gjallë, kanë mbetur gjurmë të lëna pas.

Shkolla e fshatit, e mbetur me dy nxënës dhe pa asnjë kusht tregon braktisjen, ndërsa mësuesja na shoqëron drejt një banese në lartësi, ku pamundësia ekonomike ka bërë që ata të mbeten përsëri atje, në bjeshkët e racës.

Pëllumbi, i zoti i shtëpisë tregon jetën që bëjnë në vetmi ai dhe fëmijët e tij, pa më të voglin kusht jetese. “Fëmijët vuajnë për një gjilpërë, për një aspirinë, as vetë nuk mund të shkoj poshtë në fshat, ku është farmacia, pasi është shumë larg. Pjesa tjetër e fshatit ka ikur, jetojmë në kushte primitive...”, thotë ai.

Pamundësia e kësaj familje që vazhdon t’i japë jetë fshatit të braktisur, ka bërë që vajza e madhe e shtëpisë të mbetet pa shkollë edhe pse ajo ishte nxënësja më e mirë e zonës. “Mundësitë kanë qenë të pakta, nuk mund ta coja në shkollë...bëftë një zot për të, ishalla e ndihmon zoti”, shton më tej kryefamiljari.

Dyert e mbyllura të kullave nuk janë pjesë e dukshme e vetëm këtij fshati, pasi shumë të tillë në veri të Shqipërisë, të lënë në harresën që solli braktisjen kanë bërë që këto fshatra të përjetojnë ditët e fundit të tyre.
(ma.ar/News24/BalkanWeb) Lidhje te tjera VIDEO: Familja që i jep jetë fshatit të braktisur në Pukë

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›