E Shtunë, 31 Tetor 2026

E përdhunon shoku, vajza hidhet nga dritarja e hotelit

foto ilustruese

I arrestuari ka marrë me forcë 20-vjeçaren, duke e çuar në një hotel në periferi të kryeqytetit, ku e ka përdhunuar. Pas ngjarjes, vajza është hedhur nga kati i dytë i hotelit, duke pësuar fraktura të shumta
 
Artan CENA
TIRANë - Një 20-vjeçare nga kryeqyteti për pak sa nuk ka humbur jetën, kur u hodh nga kati i dytë i hotelit, ku shoku i saj e kishte çuar me forcë dhe e kishte përdhunuar. 20-vjeçarja me inicialet V. P. ia ka dalë që shpëtojë nga një 38-vjeçar, edhe pse ka përfunduar në Spitalin Ushtarak, me fraktura të shumta. Policia e Tiranës ka bërë të ditur ditën e djeshme, se ka vënë në pranga një 38-vjeçar si autor i marrjes peng dhe përdhunimit të një vajze 20-vjeçare. Besnik Fetahu, lindur në Pukë dhe banues në Kamzë, Tiranë, u arrestua gjatë orëve të para të mëngjesit të djeshëm nga specialistët e Seksionit Kundër Krimeve Seksuale dhe Lirisë së Personit. Ngjarja mësohet se ka ndodhur para dy ditësh në Kamzë të Tiranës. Burime nga policia kanë bërë të ditur se i arrestuari dhe e dëmtuara kishin dalë edhe herë të tjera, por dy ditë më parë gjithçka ka qenë ndryshe. Pasi ishin takuar, 38-vjeçari dhe vajza e re ishin nisur për të pirë kafe, por i arrestuari kishte këmbëngulur që të shkonin në një nga hotelet e zonës së Kamzës. E reja nuk kishte pranuar kërkesën e të arrestuarit dhe këtu gjithçka ka ndryshuar rrjedhë.
Historia
Besnik Fetahu duke përdorur forcën e mashkullit, e ka marrë të renë dhe me forcë e ka futur në hotelin ku kishte bërë në plan. Më pas ka shkuar në dhomë dhe e ka përdhunuar të renë. E ndodhur në një gjendje të rënduar shpirtërore dhe fizike, e reja ka përfituar nga mungesa e vëmendjes së 38-vjeçarit, duke u hedhur nga dritarja e katit të dytë të hotelit. Ngjarja e pazakontë është parë nga shumë njerëz që ndodheshin aty, ndërsa vajza ka pësuar dëmtime të shumta në pjesë të ndryshme të trupit dhe është dërguar me urgjencë në Spitalin Ushtarak. Këtu edhe historia është bërë publike, pasi persona të shumtë kanë parë të renë që është hedhur dhe i kanë shkuar në ndihmë. Ajo u ka treguar se çfarë i kishte ndodhur dhe menjëherë është njoftuar policia, ndërsa në vendin e ngjarjes kanë shkuar me urgjencë forca të shumta police.
Hetimi
Sipas të dhënave nga grupi hetimor, ngjarja ka ndodhur rreth orës 10:00 të së mërkurës, ku një vajzë me inicialet V. P. është hedhur nga kati i dytë i një hoteli në Kamzë. Forcat e policisë kanë marrë kontakt me vajzën e re, kur ajo ka marrë pak veten. Siç mësohet nga burimet, ajo ka treguar të gjithë historinë se çfarë kishte ndodhur atë ditë. Gjithashtu, policia ka marrë kontakt me drejtuesit e hotelit dhe ka zbuluar se ajo kishte qëndruar në një dhomë, bashkë me person 38-vjeçar. Sipas të dhënave policore, Besnik Fetahu, personi i identifikuar si shkaktar i kësaj ngjarjeje, kishte prenotuar dhomën. Aty e kishte përdhunuar dhe nuk e kishte lejuar vajzën e re të largohet. Pas hedhjes së saj nga kati i dytë, ai është larguar nga vendi i ngjarjes, ndërkohë që shërbimet e Komisariatit Nr. 5 e kanë shpallur në kërkim. Policia tha se ai u kap disa orë më vonë, pavarësisht se nuk ka pranuar se e ka përdhunuar vajzën e re. Tashmë pritet që vajza e re të japë dëshminë e plotë të saj, ndërkohë që 38-vjeçari është arrestuar për veprat penale të “heqjes së paligjshme të lirisë” dhe të “marrëdhënie seksuale me dhunë me të rritura”.
 
 
Sherri në tavernë
 
Policia arrestoi katër persona të akuzuar për tentativë vrasjeje
TIRANë - Një sherr i nisur në një tavernë në afërsi të Unazës së Re, për pak sa nuk i ka marrë jetën një të riu. Ngjarja ka ndodhur në orët e para të ditës së djeshme, kur katër persona i janë sulur një 24-vjeçari, duke e goditur me grushte shqelma, dhe në fund me thikë. Bledar Sefa, 24 vjeç, ka mundur të shpëtojë pas ndërhyrjes së klientëve dhe mbërritjes më pas të policisë, e cila e ka dërguar të riun në Spitalin Ushtarak, ku ai ndodhet në gjendje të rëndë. Burime zyrtare nga Policia e Tiranës thanë gjatë ditës së djeshme, se në pranga janë vënë katër persona, pas operacionit policor të koduar “Taverna”. Burime thanë se në pranga për plagosjen e Sefës kanë rënë Ermal Leka, 31 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë, Zef Marku, 24 vjeç, lindur në Lezhë dhe banues në Prush, Tiranë, i dënuar më parë për veprën penale të “vjedhjes”. Gjithashtu të arrestuar janë dhe Maringlen Cina, 24 vjeç, lindur në Pukë dhe banues në Tiranë dhe Ervis Marashi, 18 vjeç, lindur në Pukë dhe banues në Tiranë. Sipas policisë, arrestimi i tyre është bërë, pasi këto persona dyshohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, përgjatë orëve të vona të para të ditës së djeshme, në ambientet e tavernës “Daja” të ndodhur në Unazë të Re, kanë tentuar të vrasin me armë të ftohtë, thikë, duke e plagosur disa herë në trup 24-vjeçarin Bledar Sefa, lindur e banues në Laç, i cili u dërgua menjëherë në Spitalin Ushtarak Tiranë në gjendje të rënduar për jetën. Gjatë hetimit policia ka zbuluar edhe shkakun e plagosjes së rëndë. Nga hetimet është arritur në përfundimin se motivi i grindjes përmes tyre ka nisur fillimisht pas një debati për motive të dobëta në gjendje të dehur. Autorët e dyshuar të kësaj plagosje të rëndë, në momentin e ngjarjes ka qenë duke darkuar me njëri-tjetrin, ndërsa i dëmtuari ka qenë me disa miq të tij, në një tjetër tavolinë. Kapja e autorëve u bë e mundur në sajë të informacioneve të poseduara për ta, të cilët menjëherë pas kryerjes së këtij krimi janë fshehur tek të afërmit e tyre në zona të ndryshme në Tiranë.
 
 
Arrestohen shpërndarësit e heroinës te QSUT
TIRANë - Katër persona janë arrestuar mbrëmjen e dy ditëve më parë nga Policia e Tiranës, në kuadër të një operacioni të koduar “Baçia”. Burime nga policia kanë bërë të ditur se personat e dyshuar janë vënë në pranga, për akuzën e prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike. Sipas policisë, në pranga kanë rënë Armando Canaj, 33 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë, i proceduar më parë për “vjedhje”; Jetnor Ademi, 24 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë, i proceduar më parë për “prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike”, i liruar me kusht; Alban Demiraj, 28 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë dhe Endri Avdyli, 26 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë. Burime nga uniformat blu thanë s, ndalimi i tyre u bë pas një pune 6-mujore hetimi, ndërsa veprimtaria e tyre kriminale ka përfunduar mbrëmjen e shkuar. Arrestimi i tyre u mundësua në kuadër të një procedimi penal i organizuar me metoda speciale të hetimit, i nisur në vitin 2009, ku aktualisht ndodhen të arrestuar shtetasit Eneid Gorishi dhe Fisnik Komani, të cilën u arrestuan më datë 28 korrik 2009 dhe 26 tetor 2009, si dhe 4 shtetas të tjerë, të cilën janë proceduar në gjendje të lirë. Policia tha se kapja e Armando Canajt dhe Jetnor Ademit u realizua në afërsi të rrugës “Fortuzi” në Tiranë, ndërsa kapja e Alban Demirajt dhe Endri Avdylit u mundësua në afërsi të një lokali te Shkolla e Bashkuar në Tiranë. Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua pluhuri i dyshuar si heroinë, i ndarë në 8 doza, me peshë 4 gramë. Në të gjithë periudhën 6-mujore të hetimit nga policia është arritur të sekuestrohen 250 doza lëndë pluhur të llojit heroinë. Gjithashtu, dy ditë më parë janë bllokuar 0.5 gramë lëndë pluhur me ngjyrë të bardhë e dyshuar narkotike kokainë, 4 automjete tip “Foristradë Patrol”,  “Opel Astra” dhe “Fiat Punto”, si dhe 7 telefona celularë të llojeve të ndryshme, së bashku me kartat SIM brenda tyre dhe 20 karta telefonike SIM të kompanive të ndryshme.
 
U kap me drogë, 6 vjet burg shqiptares
RIMINI - Gjykata e Riminit dënon me 6 vjet burg 26-vjeçaren shqiptare Etleva Barbullushi, pasi verën e kaluar u kap me katër kile kokainë, teksa udhëtonte për në Rimini. Prokuroria kishte kërkuar dënimin e saj me 8 vjet burg. Mediat italiane shkruajnë se për vendimin e rëndë “ka peshuar” sasia e konsiderueshme e lëndës narkotike të sekuestruar. Barbullushi ndodhet në ambientet e paraburgimit që në gusht 2009, ditën kur u arrestua. Avokati mbrojtës i Barbullushit, Alessandro Cristofori, është munduar të justifikojë sasinë e kapur, me faktin se "katër kilogramët nuk janë një sasi aq e lartë në raportet e një qyteti të dimensioneve të Riminit". Sipas medias italiane, Barbullushi kishte pranuar të gjitha aktet e dosjes penale ndaj saj, duke shpresuar në një masë më të lehtë dënimi nga gjykata. Arrestimi i Etleva Barbullushit u bë në gusht të vitit 2009. E reja, e cila udhëtonte me makinë së bashku me nipin e saj 9-vjeçar, sapo kishte dalë nga autostrada dhe gjendej pranë "Autobandës", në sportelin për nga Rimini, nga krahu i veriut për në Viserba. Pas një kontrolli rutinë të makinës, droga u gjet e fshehur në bagazh.
 
Gjendet në liqen kufoma e një gruaje
TIRANë - Kufomë e një gruaje është gjetur mëngjesin e djeshëm në mesditë në Liqenin Artificial të Tiranës. Policia e Tiranës dyshon për një vetëmbytje. Kanë qenë kalimtarë të rastit, që kanë parë kufomën e gruas mbi ujin e Liqenit Artificial të Tiranës dhe kanë sinjalizuar menjëherë policinë, e cila ka lajmëruar forcat speciale të zhytjeve. Palombarët nxorën nga ujërat trupin e gruas, duke e dërguar menjëherë në morgun e kryeqytetit për ekspertiza të mëtejshme. Pranë vendngjarjes u gjet edhe një çantë, e cila dyshohet të jetë e gruas. Nga dokumentet e gjetura, viktima është identifikuar si shtetasja Virgjinushe Duka, e moshës 50-vjeçare. Policia ka nisur hetimet për shkaqet e vdekjes së gruas. Mësohet se gruaja vuante prej kohësh nga depresioni nervor i një shkalle të përparuar. Nga këqyrja e parë nuk u panë shenja dhune, ndaj hipoteza e parë e lindur ka qenë vetëmbytja. Policia vazhdon hetimet për zbardhjen e plotë të vdekjes së shtetases Duka.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›