Familjarët e viktimave kryejnë homazhe në Gërdec
Familjarët e viktimave të Gërdecit kanë kryer sot homazhe në kujtim të të humburve të kësaj tragjedie. Si sot, plot 3 vjet më parë, humbën jetën nga shpërthimi në Gërdec 26 persona dhe mbeten të plagosur 300 të tjerë.
Homazhet janë kryer pranë vendit të shpërthimit të fabrikës së demontimit në Gërdec ku janë vendosur kurora me lule edhe në memorialin kushtuar 26 viktimave.
Familjarët e tragjedisë së Gërdecit kanë protestuar vazhdimisht për drejtësi, për gjetjen e fajtorëve dhe vënien e tyre para ligjit për humbjen që iu shkaktua.
Disa nga familjarët e tragjedisë së Gërdecit është shprehur për “Ora News” se homazhi i këtij viti tregon një turp për drejtësinë dhe politikën shqiptare. Ata janë shprehur të indinjuar për mosvënien para drejtësisë të fajtorëve por edhe nga politika e cila kërkon ta politizojë me çdo kusht këtë tragjedi. Ata gjtihashtu janë shprehur se do të jenë pjesë e protestës së opozitës që do të zhvillohet në të njëjtin vend, në orën 17:00 por ta takojnë këtë ditë në heshtje.
Homazhet në kujtim të 26 viktimave të tragjedisë nisen paraditen e sotme nga bashkia e Vorës, kur punonjës të saj vendosen lule dhe kurora pranë vendit ku ndodhi shpërthimi.