E Shtunë, 31 Tetor 2026

Familjarët e Konomit: E vrau mafia për pronat

VLORË- Një portë e hekurt, e rënë boje “digjet” nën diell. Është kaq e heshtur dhe ngjan se në çdo çast pret hapat e dikujt. Jo shumë larg nga kjo portë e “pagojë”, hapat u tretën. Mbetën brenda një makine në mes të bulevardit të qytetit, makinës që digjej e nxirrte tym të zi. Tentoj t’a prek, të trokas e t’a zhbëj heshtjen e kësaj porte që është zbërdhylur brenda 9 muajve, por diçka supersticioze më bën që të kem frikë. Më ngjan se diku pas shpine kam shoqëruese “Fluturën e Natës”, që nuk i ndahet dhe nuk i ndahet shtëpisë së Konomëve. Kam ndjesinë se dhe ata që ndodhen pas kësaj porte (nuk kam qenë herë tjetër) kanë frikë njëlloj si unë. Por jo nga “Flutura e Natës”, shpirtit të djalit të vetëm të tyre, Skerdit. Babai, nëna, motra, bashkëshortja e gjyqtarit të vrarë në mënyrë makabre në atentatin e 9 shtatorit të vitit të kaluar në qendër të qytetit të Vlorës kanë frikë se pas porte gjenden hapa të tjerë, të “paftuar” që i trazojnë, i dyzojnë në kohë dhe gjendjet e tyre. Tak, tak, tak. Është kaq e rëndë kjo portë në theqafjen e diellit diku tej Karaburunit. Heshtje, marrje fryme, një dridhje konstante më përzihen njëherazi. Nga pas, një dorë e lehtë, e fishkur pa mbushur viti, hap portën. Është e ëma e Skerdilajd Konomit.

PAS PORTE
“Urdhëroni brenda! Kush jeni?”, -pyet e ëma e Skerdit. E veshur me të zeza, ngjan e pakët, e tretur, si shumë nëna të tjera që iu kanë shkulur zemrën. Bëj vetëm tre - katër hapa, pa guxuar më shumë. E zonja e shtëpisë është kaq e dashur dhe bujare, ia tregojnë sytë, rrudhat që i vijëzohen mbi ballë dhe i zbresin para kohe nëpër faqe. Por... Është në mëdyshje të më ftojë brenda katër mureve të shtëpisë që është dhe më e heshtur se porta e rënë boje. “Ju lutem, na lini në dhimbjen tonë. Nuk kam, nuk kemi çfarë t’ju themi për djalin, Skerdin. I kemi thënë të gjitha, nuk na ka mbetur fjalë. Na i morën dhe fjalët. Bëni mirë të pyesni aty ku duhet”, thotë zonja. Fjalët e saj më vijnë tangent. Ulem tek njëri prej tre stolave të drunjtë, nën pjergullën e harlisur. Dikur, në këto stola ulej Skerdilajdi, kur vinte pas pune. I hedh një vështrim shtëpisë dykatëshe, nuk ngjan me vilat e gjyqtarëve, prokurorëve, avokatëve, politikanëve. Jo vetëm pse është kaq e heshtur dhe e vrarë, por se muret janë goxha në moshë, të zakonshme me shtëpitë e tjera (jo ato të rejat në Ujë të Ftohtë). Në dritaren e katit të parë, lëviz lehtas një perde tyli, a thua se “Flutura e Natës” është ulur aty.

FAMILJA KONOMI
“Po shikoni shtëpinë? Shumëkush mendonte se im bir kishte shumë më shumë se kaq. Vetëm kur erdhën pas vdekjes së tij, panë këtë shtëpi që dhe ty po të bën përshtypje. Ai nuk ishte i korruptuar moj bijë. Ne të gjithë kemi punuar e jemi mbajtur me djersën tonë”, thotë e ëma e gjyqtarit. Ulet në stol. Vjen dhe e bija, e veshur gjithashtu me të zeza. Teksa i pyes për ndonjë të re rreth ngjarjes së 9 shtatorit të vitit të kaluar, nënë e bijë shprehen se gjithçka ka mbetur mister. “Ishte një vrasje mafioze, jo ordinere. Askush nuk thotë asgjë dhe mendojmë se nuk do thonë më kurrë. Strukturat shtetërore nuk duan ta zbardhin këtë ngjarje. Nëse do ishte ndryshe, tani do të ishin gjetur vrasësit. Përse kjo heshtje, përse? Skerdi ishte kaq paqësor dhe nuk grindej me askënd. Thjesht bënte detyrën e tij. Policia vjen e na pyet herë pas here. E kupton, na pyesin ne. A nuk duhet që ata të na thonë të vërtetën?, - pyesin në të njëjtën kohë nënë dhe bijë. Ato pohojnë se e vërteta fshihet tek pronat, jo ato që kanë në Vlorë, por tek ato që kanë në Hamallaj të Durrësit. “Në Shqipëri, prona asnjëherë nuk do të shkoj në duart e të zotit. Kjo është e vdekur, nëse të gjithë ata që janë si ne, nuk bashkohen bashkë dhe të ngrenë zërin. Kështu tek e tek na shkelin me këmbë, na mbysin”, - shprehen gjithë mllef e ëma dhe motra e gjyqtarit të vrarë në atentat. Ndërsa tregojnë se “në Durrës ndodhen 3000 ha tokë me 75 pronarë. Ne kishim një pjesë të vogël. Që nga viti 1990 kërkuam pronën tonë gjyq pas gjyqi, gjykatë pas gjykate. Tani hapen gjyqe të reja, nga njerëz që pretendojnë pronësinë me letra false. Gjyqe koti që shtyhen po kot së koti. Shkoni në Gjykatën e Lartë dhe shikoni procedurat, shkeljet, pas atyre abuzimeve fshihen motivet dhe vrasësit e Skerdit”.

I MISTERI DHE HETIMET
Për pjesëtarët e familjes Konomi, hetimet e deritanishme janë një vërë në ujë. “Kobi na erdhi pa trokitur. Skerdi ishte i qeshur dhe nuk dinte asgjë se çfarë do i ndodhte. Do na e kishte thënë, po të kishte ndonjë kërcënim”, - pohojnë ata. Ndërsa i pyes për kërcënimin me anë të SMS-ve në celular të kryetarit të Gjykatës së Shkallës së Parë të Vlorës, ngjarje kjo e ndodhur pak ditë më parë, familjarët e Skerdilajd Konomit thonë se ky ishte një rast krejt ndryshe. “Skerdi nuk kishte probleme me punën që bënte. Nëse do ishte kështu do e kishin kërcënuar me mesazhe siç bënë me kryegjyqtarin”, - sqarojnë të afërmit e viktimës. Ata deklarojnë se arrestimi i një 58-vjeçari nga Uji i Ftohtë nuk ka lidhje me vrasjen e Skerdit. “Këtë të arrestuarin (Mentor Mustafarajn) nuk e njohim. Skerdi ishte në trupin gjykues për një çështje pronash, që ai (Mustafaraj) humbi para më shumë se një viti. Nuk ishte Skerdi që vendoste për këtë çështje. Nuk ka arsye që ai të vritej për këtë dosje pronash”, thonë pjesëtarët e familjes Konomi.

MESAZHI
Guxoj të dalë “jashtë kufirit” të bisedës. I pyes familjarët e gjyqtarit të vrarë se çfarë do të bënin nëse një ditë do gjendeshin vrasësit e djalit të tyre. “Ia kemi lënë në dorë shtetit këtë gjë. Nuk i biem ndesh ligjit. Dhe Skerdi, i tillë ishte. Po të ishim ndryshe, nuk do të gjendeshim brenda këtij misteri”, - thonë pjesëtarët e familjes Konomi. 

“FLUTURA NATËS”
E lë misterin pas porte. Mbi pjergull rri varur “Flutura e Natës”. Dielli po fshihet, po derdh gjetkë rrezet e tij, - ashtu siç derdhet loti pikë - pikë mbi faqet e të ëmës së Skerdilajd Konomit. Sa e rëndë është kjo dreq porte.
(ESKLUZIVE GAZETA SHQIPARE)
(e.m/BalkanWeb)

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›