Familjarët e babait dhe fëmijës së masakruar në Greqi: Nuk kishte hasmëri
(E PERDITESUAR)- Në fshatin Katund i Ri në Durrës, në familjen Mësaja, janë hapur dyert e zisë. Dy pjesëtarët e saj, babai Fillimi dhe djali 3-vjeçar, Oligerti, u gjetën të masakruar në Greqi, në një zonë në Kallamata. Fillim Mësaja ishte me origjinë nga Kukësi, por ishte vendosur në Katundin e Ri. Vëllai i tj, Shkëlzeni, që jetonte po ashtu në Greqi, ka rrëfyer i tronditur ngjarjen. Ai ka thënë se Fillimi kishte 15 vite që jetonte në Greqi. Së fundmi ai kishte marrë dhe gruan e familjen. Sipas Shkëlzenit, Fillimi ishte gëzuar shumë pasi djalin e madh e kishte shumë të sëmurë dhe po e kuronte në Greqi. Vëllai i Fillimit thotë se ai nuk ka pasur asnjë hasmëri, ishte një natyrë e qetë që nuk ngatërrohej me njeri. Natën e ngjarjes tragjike ai kishte dalë bashkë me të birin për të blerë ushqime. Pesë minuta përpara kishte telefonuar të shoqen dhe i kishte thënë se po ktheheshin. Por trupat e tyre u gjetën të masakruar. Fillimi ishte qëlluar me çifte, kurse i biri ishte vrarë me thikë në qafë. Familjarët kërkojnë drejtësi, ndërsa bashkëshortja e Fillimit e ka pasur vështirë të dëshmojë në polici për shkak të tronditjes së rëndë.
Duke folur në Newsit.gr,mjeku ligjor Nikolaos Kotakidis ,i cili bëri ekspertizën mjeko ligjore të 35-vjeçarit shqiptar dhe djalit të tij 3-vjeçar, tha se ” vdekja e babait 35-vjeçar ka ardhur nga plumb arme gjahu, d.m.th saçme prej çifte,ndërsa fëmija ishte qëlluar me thikë në pjesën e qafës.
Në fshatin Plati, ku jetonte emigranti shqiptar vitet e fundit, ende mbizotëron panik, ndërsa bëjnë fjalë se 35-vjeçari ishte një njeri që nuk kishte pasur asnjëherë konflikt dhe as ishte dyshuar për diçka.
Ajo që ka shkaktuar më shumë SHOK është vrasja e djalit tre vjeçar, për të cilin dyshohet se ka parë diçka që nuk duhet ta shikonte, d.m.th njohu autorët e krimit.
Raportohet se autori i krimit mund të ketë qenë në makinë me viktimat e tij.
Madje sipas të dhënave që dalin nga kriminalistika greke, autori i krimit e qëlloi viktimën teksa makina ishte në lëvizje, për tu dukur se ishte aksident.
Duket se fëmija ka qenë i gjallë kur makina kishte rënë në kanal bashkë me shoferin, djalin e tij 3-vjeçar dhe autorin e krimit.
Sipas policisë, autori i krimit e theri fëmijën sepse 3-vjeçari e njihte atë dhe përbënte rrezik.
Policia e ka të vështirë të gjejë shenja për të identifikuar autorin e krimit, pasi makina ra në kanal dhe u mbush me ujë.
Fëmija 3-vjeçar gjendej në Greqi prej disa javësh. Fëmija ishte i vogli i familjes dhe bashkë me nënën e tij gjendej në Greqi prej një muaji, pasi nëna e tij do punonte në mbledhjen e ullinjve.

Viktima, Fillim Mësaja