Familjarët e biznesmenit të masakruar: Hetimet dhe në Itali
Prokuroria e Vlorës rifillon marrjen në pyetje të personave të afërm të biznesmenit vlonjat, Genci Habazaj, i cili u gjet i vrarë dhe i masakruar në fshatin Darëzezë, të Fierit. Mësohet se grupi hetimor ka marrë dëshmitë e shokëve dhe miqve të 39-vjeçarit, si dhe personave të dyshuar që kanë dijeni për mosmarrëveshje apo konflikte që Habazaj mund të ketë pasur në Shqipëri dhe Itali, ku jetonte prej 18 vjetësh. Ndërkohë, ende nuk kanë mbërritur analizat balistike të dy gëzhojave të gjetura në vendngjarje. Ndërkohë, familjarët e biznesmenit vlonjat, Genci Habazaj shprehen të bindur se 39-vjeçari nuk ka qenë i përfshirë në afera kriminale. "Genci ka qenë shumë i rregullt, gjithmonë ka parë punën dhe hallet e tij. Gjatë marrjes në pyetje nga policia, ne kemi kërkuar që hetimet të vazhdojnë të shtrihen dhe në shtetin italian, sepse mendojmë se vetëm prej andej mund të vijë përgjigjja. Ndoshta konkurrenca në biznesin e tij mund të jetë bërë shkak, prandaj kërkojmë që hetimet duhen të vazhdojnë dhe në Itali, duke marrë në pyetje personat me të cilët e ka lidhur puna dhe shoqëria", thotë për "Shqip", Albert Habazaj.