Heqja e vizave, Topalli takim me Lammert
Kryetarja e Parlamentit, Jozefina Topalli, në aksionin e saj të radhës, përmes diplomacisë parlamentare, kërkoi dje mbështetjen e Gjermanisë për heqjen e vizave me BE-në për shqiptarët. Në udhëtimin e saj për vizitë zyrtare në Suedi, gjatë ndalesës në Berlin, Topalli u prit në Bundestag nga kryeparlamentari Norbert Lammert, i cili i shprehu kënaqësi dhe interes të veçantë për takimin. Sipas zyrës së shtypit të Kuvendit, Kryeparlamentarja e falënderoi Presidentin e Bundestagut, Lammert që, megji-thë impenjimet e tij të mëdha, i dha mundësinë Kryetares së Parlamentit për një takim që zgjati përtej kohës së parashikuar. Në bisedën e gjatë me kryetarin e Bundestagut, Kryetarja e Kuvendit u përqendrua kryesisht në angazhimin e plotë e serioz të institucioneve shqiptare për heqjen e vizave, si një objektiv që i ka ardhur koha për t'u vënë në jetë. Topalli shprehu shpresën dhe besimin se Gjermania sërish do ta mbështesë Shqipërinë në heqjen e vizave për qytetarët e saj. Topalli bëri një ekspoze të zhvillimeve më të fundit në Shqipëri. Ajo i bëri të njohur reformat që ka ndërmarrë Qeveria në drejtim të plotësimit të detyrimeve në proceset integruese. Në mënyrë të veçantë e njohu kolegun e saj gjerman me përmbylljen e të gjitha kërkesave, lidhur me menaxhimin e kontrolluar të kufijve, me vënien në funksion të teknologjive të reja më të avancuara në këtë drejtim, të gjitha këto të lidhura me procesin e heqjes së vizave. Gjithashtu Kryeparlamentarja u ndal në punën në Parlament dhe në numrin e madh të ligjeve të reformave të kaluara këto muajt e fundit. Duke diskutuar lidhur me çështjet ekonomike, ajo shprehu krenarinë për vlerësimet e FMN-së dhe Bankës Botërore për Shqipërinë, si i vetmi vend në rajon që edhe pse i rrethuar nga kriza financiare globale vazhdon me rritje ekonomike të qëndrueshme.