E Shtunë, 31 Tetor 2026

Familjarët e të dënuarve afat liderit të BDI-së

Kumanovë- Familjarët e të dënuarve të Sopotit nga Kumanova theksojnë se kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti ka 60 ditë afat, siç ka premtuar, për të zgjidhur rastin e familjarëve të tyre që po dergjen nëpër burgjet maqedonase. Mediat e Shkupit bëjnë të ditur se familjarët theksojnë se kanë humbur shpresat për lirimin e familjarëve të tyre që po kalben në qelitë e burgjeve të Maqedonisë.

“Nëse nuk arrihet të bëhet diçka për zgjidhjen e problemit tonë, atëherë ne do të ndërmarrin masa të tjera më radikale duke kërkuar llogari para krerëve të BDI-së” , theksojnë familjarët.

Zgjidhja e premtuar është që rasti i plotë i Sopotit të kthehet në shqyrtim në gjykatë dhe korrigjimin e së vërtetës dhe dënimeve të larta deri në 150 vite burgim që kanë marrë mbi 14 banorë të fshatit Sopot, por duke lënë nëpër shtëpi në mëshirë të Zotit dhjetëra fëmijë e gra.

Njëri nga familjarët e të arrestuarve, Sabri Qaili thotë nuk i besojmë aspak premtimeve e dhëna nga BDI.

“Nuk besoj. Besimin e kemi humbur. Këso premtime kemi marrë edhe më herët nga përfaqësues të kësaj partie, por deri më tani asgjë nuk ka ndodhur. Ata po kalben në burgjet e Maqedonisë për vepër që nuk e kanë bërë”, thekson Qaili.

Tërë kjo ngjarje e kobshme filloi para gjashtë viteve, kur organet shtetërore maqedonase akuzuan dhe burgosën banorët e fshatit, një pjesë e tyre ish-pjesëtarë të UÇK-së, për gjoja vendosjen e një mjeti shpërthyes nga i cili humbën jetën dy ushtarë të kontingjentit polak të NATO-s.

///start-ina///

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›