E Shtunë, 31 Tetor 2026

Taksitë pa licencë, Rama i delegon Qeverisë përgjegjësinë e kontrollit

 

Konkurrenca e pandershme është bërë sërish shkak i takimit të taksistëve me kryetarin e Bashkisë së Tiranës Edi Rama. Ky është takimi i dytë i tyre në një hark të shkurtër kohor dhe gjithmonë shqetësimi ka mbetur i njëjtë lidhur me abuzivizmin që ekziston. Por kryebashkiaku Rama edhe pse ka dëgjuar me vëmendje taksistët më shumë është përqendruar në delegimin e fajit, duke e larguar nga institucioni që ai drejton. Sipas tij kompetencat për të vepruar mbi këtë fenomen i ka Qeveria dhe Policia e Shtetit. "Është shumë e rëndësishme të ndahen qartë detyrat dhe roli i secilit dhe këtu janë tre palë, jeni ju, është Bashkia, është edhe Qeveria" tha Rama. Edhe pse sipas kryebashkiakut institucioni i tij nuk ka të drejtë të ushtrojë kontrolle, sipas një vendimi të Këshillit Bashkiak për shërbimet taksi, mbi Policinë Bashkiake bie e njëjta përgjegjësi, duke hedhur poshtë çdo pretendim se Bashkia qëndron larg "luftës" që duhet t'i bëhet fenomenit. Në takimin e djeshëm taksistëve u është servirur një "predikim" mbi ndryshimin e shërbimeve, përmirësimin që ato kanë pësuar dhe shembullin e mirë të pagesës së taksave, ndërkohë që të drejtën e tyre për konkurrencën e pandershme janë përcjellë ta gjejnë tjetërkund. "Në aspektin kryesor e më të dhimbshëm të veprimtarisë suaj, që është konkurrenca e paligjshme, e pandershme, e padrejtë, problemi juaj është me Qeverinë, e cila duhet të garantojë përmes Policisë së Shtetit, dhe hallkave të veta, zbatimin korrekt të ligjit, duke garantuar me korrektësi konkurrencën", ka thënë Rama. Sipas tij, Bashkia e Tiranës ka marrë përsipër përgjegjësinë e saj të plotë, për t'u gjendur krah për krah me taksistët dhe për të garantuar atë pjesë të kushteve që kanë të bëjnë me detyrimet ligjore dhe qytetare të këtij institucioni.                                   n.m

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›