Gripi i derrave, 19 raste në 24 orë
zirina llambro
Shtohet ndejshëm numri i rasteve me gripin e derrave. Vetëm dje janë konfirmuar 19 persona të rinj me AH1N1. Numri i të prekurve ka arritur në 76. Ndërkaq, burime nga spitali infektiv pohuan se 2 persona kanë shfaqur komplikacione dhe po trajtohen në këtë spital. Gjendja e tyre nuk është kritike, por kanë nevojë për asistencë të vazhdueshme nga stafi i mjekëve. Sakaq, nga sa bëri me dije drejtori i ISHP, Alban Ylli, shumica e rasteve të prekura nga AH1N1, janë të lehta dhe pa komplikacione. Kryesisht pacientët i përkasin moshave të reja. Kjo rritje e ndjeshme e personave me gripin e derrave i dedikohet edhe shpejtësisë së përgjigjeve të mostrave që analizohen në laboratorin e ri të ISHP-së. Por nuk mund të anashkalohet sezoni i cili e favorizon përhapjen e virusit. Sipas OBSH-së ka nisur vala e dytë e goditjes nga gripi i derrave, i cili për herë të parë u shfaq në muajin prill. Strukturat tona shëndetësore bëjnë apel që qytetarët të mos përfshihen nga paniku e frika, pasi situata është brenda kontrollit. Por ata nuk mohojnë një epidemi të mundshme, e cila këtë vit do të jetë tejet e vështirë për t'u përballuar për shkak të dy viruseve që qarkullojnë. "Nuk duhet të lihet në harresë gripi i zakonshëm, i cili nga sa është vërejtur ka shfaqur komplikacione më të forta se ai i derrave. Ndaj qytetarët duhet të bëjnë kujdes duhet të vaksinohen", deklaroi dje drejtori i ISHP-së Alban Ylli. Sipas tij, institucionet shëndetësore dhe ato arsimore nuk duhet ta shkëpusin për asnjë moment vëmendjen ndaj virusit pandemik AH1N1, duke mbajtur në monitorim të vazhdueshëm qendrat e grumbullimit publik përfshirë edhe shkollat. Javën e fundit është vënë re një shtim i nxënësve që mungojnë në shkolla për shkak të gripit stinor. "Jemi në kontakt me mësuesit, në mënyrë që të raportohet në kohë dhe të merren masa kur është e nevojshme", theksojnë specialistët e Institutit të Shëndetit Publik. Ata këshillojnë marrjen e masave nga vetë nxënësi e prindërit. Larja e shpeshtë e duarve, ruajtja e një higjiene personale në nivele të larta, janë disa nga këshillat që japin specialistët.
Gripi i derrave, konfirmohen 6 nxënës të prekur në Klos
KLOS - Konfirmohen me grip derrash 6 prej 10 nxënësve të shkollës 9-vjeçare të Klosit. Burime të sigurta informacione pranë Drejtorisë së Shëndetit Publike në Mat bëjnë të ditur se dje pasdite, nga laboratori i Institutit të Shëndetit Publik në Tiranë është konfirmuar se gripi i derrave ka mbërritur dhe në qytetin e Klosit. Drejtori i Shëndetit Publik, Zylfi Dika pohoi për gazetën "Panorama" se situata nuk është ajo që ishte parashikuar, por po sipas tij nuk ka vend për panik. "Tre ditë më parë, - nënvizoi ai, - ne dërguam në ISHP Tiranë 10 mostra që kishim marrë nga nxënësit e shkollave "Tahir Hoxha" e "Shaban Collaku", Klos. Mbrëmë kanë dalë rezultatet e këtyre analizave dhe rezulton se nga 10 kanë rezultuar me gripin e derrave 6 nxënës të shkollave të këtij qyteti, kryesisht të moshës 13-16 vjeç". Sipas Dikës, situata nuk është alarmante sepse asnjëri nga nxënësit e prekur nga ky grip nuk është shtruar në spitalin e Burrelit apo spitale të tjera të vendit, pasi të gjitha rastet po trajtohen me shërbim ambulator pranë familjeve të tyre. I pyetur nëse shkollat e qytetit të Klosit do të mbyllen pas daljes së rezultateve të analizave dhe konfirmimit të faktit se 6 nxënës të kësaj shkolle janë prekur nga gripi A H1 N1, drejtori Dika tha se shkollat apo klasa të veçanta do të mbyllen vetëm në ato raste kur numri i mungesave arrin deri në 40 për qind e nxënësve. Duke iu referuar situatës së fundit numri 1 i shëndetësisë në këtë rreth pohoi se që nesër në bashkëpunim me bashkinë e këtij qyteti dhe qendrën shëndetësore do të merren masa urgjente për të kryer dezinfektimin e klasave të dy shkollave të Klosit. Po sipas Dikës ka vijuar kontrolli nga personeli shëndetësor në të gjitha shkollat e këtij rrethi, duke u përqendruar kryesisht në shkollat e qyteteve Burrel, Klos e Ulëz, ku është numri më i lartë i nxënësve. Pritet të dezinfektohen edhe pesë shkollat e qytetit të Burrelit, pasi kërkohet të parandalohet situata gripale që ka mbërthyer nxënësit e qytetit të Klosit. Ditën e djeshme, në shkollën 9-vjeçare "Tahir Hoxha" dhe atë të mesme "Shaban Çollaku", kanë munguar 188 nxënës. Sipas drejtorit të shkollës, Nexhmi Çollaku, ky është numri më i lartë i mungesave. h.p