E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi: Anëtarët e KLD, me mandat derisa zëvendësohen

 

Alfred Peza

Presidenti Bamir Topi del kundër kryeparlamentares Topalli lidhur me zëvendësimin e anëtarëve të KLD-së. Në një intervistë për “Ora e debatit” në Ora News, kreu i shtetit tha se anëtarët e KLD-së do të zgjidhen sipas Kushtetutës, teksa shtoi se anëtarët aktualë që u ka mbaruar mandati janë në detyrë derisa të zëvendësohen. Topi foli edhe për bojkotin e opozitës dhe amnistinë që do të ndërmarrë me rastin e festave.
Ka një bojkot më të madh, ai i Parlamentit. Lidershipi i opozitës është shprehur se do ta vazhdojë bojkotin. Si e vlerësoni?
Ndryshe nga ajo çka unë shpreha në prononcimin tim, ka një sjellje politike të partive politike. Rishpreh shqetësimin për rifillimin e dialogut, për pjesëmarrje. Sikurse është thënë nga të gjithë aktorët, ata që janë përtej interesave politike, faktorëve politikë në fushë, askush nuk mbështet mospjesëmarrjen, por gjithsesi janë çështje të vullnetit politik të partive.
E konsideroni se ka krizë politike?
S’mund të jap një përgjigje eksplicite, kërkon analizë dhe në kontekstin e analizës mund të dalë që mungesa e dialogut, mospjesëmarrja, çështjet e parealizuara në këtë lloj konfrontimi politik të japin idenë e simptomave të një krize politike. Ajo që shoh si President është që ne kemi institucione të stabilizuara. E rëndësishme është që partitë të marrin pjesë në këtë lloj dialogu dhe siç kanë gjetur gjuhën në raste të tjera mund ta gjejnë edhe tani për të zgjidhur problemet mes tyre.
Kanë filluar përpjekjet për dialog? Keni marrë iniciativë ju?
Kam bërë atë pjesë që i takon Presidentit. Janë apele, takime me partnerë. I takon partive politike që kanë në lidershipin e tyre njerëz me eksperiencë që të marrin vendimin për të vazhduar dialogun. Nuk është një dialog që fillon në terren të thatë, të paeksploruar më parë.
Jeni bërë iniciator ju për fillimin e dialogut?
Unë nuk kam bërë ndonjë tentativë të drejtpërdrejtë për uljen e palëve, duhet ta shprehin vullnetin partitë politike në radhë të parë që të kërkojnë mediator dhe atëherë mund të futet në lojë institucioni. Ata mund të gjejnë mediator përtej Presidentit.
KLD ka 2 anëtarë më pak prej disa kohësh dhe dy të tjerë me mandat të skaduar. A është normale dhe a e pengon funksionimin e këtij institucioni?
Normale nuk është, sepse kërkohet funksionim sipas standardeve që i kërkon ligji. Por nga tjetër ligji parashikon që pavarësisht nga problemet që krijohen për plotësimin e vendeve, sikurse ndodh edhe në institucione të tjera (në Gjykatën Kushtetuese një anëtar ka vazhduar një vit më shumë, sepse ia lejonte ligji derisa u plotësua), e njëjta gjë thuhet edhe për anëtarët e KLD-së. Kjo nuk duhet të presupozohet që të abuzohet në këtë linjë. Fakti që ia njeh ligji, ato të mos ndërrohen. Por natyrisht ndërrimi duhet të bëhet sipas standardeve që e njeh po ligji.
Që do të thotë?
Siç e thotë ligji. Tre anëtarë të KLD-së emërohen nga Parlamenti me propozime që vijnë nga grupet parlamentare, ku në traditën e Parlamentit ka njëlloj marrëveshje për të bërë alternimin e propozimeve që KLD të mos marrë fizionomi të projektimeve politike.
Ka pasur një debat nëse duhet pritur miratimi i ligjit të ri apo duhet bërë nga konferenca gjyqësore...
Në këtë cilësi që kam si president nuk do doja të isha interferues. Kam parë ditët e fundit zëra të ndryshëm që janë prononcuar jo në mënyrë të sintonizuar. Nuk dëshiroj që në këtë moment të marr në mënyrë të qartë anën e një prononcimi apo një tjetër, sepse për mua të gjithë aktorët janë shumë të rëndësishëm. Roli i Presidentit është i specifikuar me Kushtetutë. Presidenti duhet të jetë rigoroz me parimet kushtetuese.
Spahiu ka deklaruar se KLD-ja mund të vazhdojë punën normalisht?
I është referuar ligjit. Ka një moment që është dominant në punën e Presidentit, është Kushtetuta, janë ligjet dhe presidenti jo vetëm që nuk punon në terrene ekstraligjore, por bën thirrjet e duhura që të gjithë të respektojnë normat e shtetit ligjor. Këto janë parime shumë të forta kategorike.
PD është shprehur që konferenca mund të mblidhet dhe të emërojë anëtarë të rinj, por edhe opozita nuk është shprehur kundër...
Mendoni se do kishte ndonjë President që të thoshte po punoj jashtë Kushtetutës? Këtu duhet të fillojë dhe të përfundojë pozicioni i Presidentit, jashtë kësaj çdo president duhet të gjykohet për keq. Dora e fundit përsa i përket ekuilibrave është ky institucion, por ka edhe një tjetër që merr në konsideratë ose rrëzon vendimmarrjen e presidentit dhe kjo është Gjykata Kushtetuese. Ne jemi të prirur të zbatojmë edhe kur bëhet fjalë për vendimmarrjet tona, vendimet e Gjykatës Kushtetuese.
Topalli ka thënë se s’ka pirë kurrë kafe me ju...
Ju sugjeroj të bëheni më seriozë në trajtimin e këtyre marrëdhënieve, unë nuk besoj që politika e shtetit bëhet nëpër kafe. Marrëdhëniet edhe në këtë sens janë shumë institucionale.
Do bëni amnisti me rastin e festave?
Deri tani kam aplikuar falje apo ulje dënimi për gra apo të moshuarit. Është momenti për të vepruar disi më gjerë. Nuk e kam paragjykuar procesin se falja apo ulja e dënimit do jetë vetëm për këto kategori, por kam kontrolluar një proces i cili ka qenë shumë i pastër, pa ndërhyrje nga askush, duke respektuar të drejtën tuaj për të pasur ulje dënimi në funksion të sjelljes, kushteve që keni. Pra për të garantuar një proces i cili nuk do të kishte as minimumin e ndërhyrjeve dhe të veprimeve korruptuve nga cilido. Kjo ndoshta ka qenë arsyeja që këtë proces në një moment të caktuar e ndërpreva, për ta parë me shumë kujdes, sepse është shumë e rëndë që të ketë ndërhyrje për një proces të tillë. E drejta është legjitime te cilido. Ky proces do të jetë shumë serioz, shumë i rregullt dhe u siguroj që nuk do të pranohet asnjë ndërhyrje.

Topalli: Gjyqtarët të zgjedhin pa ligj KLD
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, mbështeti pak ditë më parë idenë e mbledhjes së Konferencës Gjyqësore dhe në mungesë të ligjit. Vakuumi i krijuar me mosplotësimin me anëtarë të KLD-së ka bërë që Kryeparlamentarja Topalli të zhvillojë një takim të posaçëm me dy anëtarët e KLD-së, Neshat Fana dhe Lefteri Lleshi. Në këtë takim, Topalli konfirmoi qëndrimin e Kuvendit në mbështetje të plotë të autonomisë së Gjyqësorit. “Pavarësia e pushtetit gjyqësor është kushti themelor për funksionimin e shtetit ligjor. Qëndrimi i Kuvendit është i prerë dhe i qartë. Ai mbështet trupën e Gjyqësorit të vendit dhe të drejtën e tij për të zgjedhur dhe zëvendësuar çdo pesë vjet përfaqësuesit e vet në KLD. Çdo qëndrim tjetër, i kujtdo individi, i cili pengon Gjyqësorin në ushtrimin e të drejtave të veta, është antikushtetues dhe i papranueshëm për Kuvendin e Shqipërisë”, theksoi Topalli.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›