Studentët në dilemë për universitetin
BERAT - Studentëve të Beratit u ishte premtuar se dita e sotme do të përkonte me hapjen e universitetit në ambientet e ish- maternitetit të këtij qyteti. Por për mungesë të dokumentacioneve dhe lejes së ndërtimit në këtë godinë, bashkia ka pezulluar punimet me ndihmën edhe të forcave të rendit, ndërsa presidenti i UFO-s, Astrit Veliaj është kallëzuar në prokurori. Të gjitha mosmarrëveshjet mes bashkisë dhe presidentit të universitetit kanë rënë në kurriz të 400 studentëve të regjistruar në degë të ndryshme, si Drejtësi, Letërsi, Histori, Matematikë etj. Studentët shprehen të shqetësuar, pasi ata kanë bërë një parapagesë prej 400 eurosh secili në momentin e regjistrimit. Ata nuk dinë se ku të ankohen për këtë situatë të krijuar, si dhe nuk janë të bindur nëse shuma prej 400 eurosh është hedhur kot prej tyre. Studentët presin një reagim nga ana e bordit të universitetit, nëse do iu kthejnë lekët mbrapsht, apo nëse do të gjendet zgjidhje për hapjen e auditorit. d.xh