Familjarët e viktimave Gërdecit, apelojnë për ndihmë e drejtësi
Shoqata e Viktimave të tragjedisë së Gërdecit reagoi dje, një ditë pas vdekjes enigmatike të Kujtim Osmanit, babai i një prej të vrarëve nga shpërthimi
"Pak muaj më parë humbi jetën nga depresioni gjendje e rëndë shëndetësore e ekonomike edhe Naile Ahmeti, nëna e një tjetër viktime"
TIRANË- Vdekja në rrethana ende të pasqaruara Kujtim Osmanit, babait i njërës prej 26 viktimave të shpërthimit të 15 marsit të vitit 2007 në fshatin Gërdec, që dyshohet se mund të jetë vetëvrasje, nxiti "Shoqatën e Familjarëve të Viktimave të Gërdecit" të apelojnë për ndihmë ekonomiko-sociale dhe psikologjike për familjarët e këtyre viktimave dhe banorëve të kësaj zone.
Në letrën dërguar në adresë të Presidentit të Republikës, Gjykatës së Shkallës së Parë ku po gjykohet çështja, Prokurorisë së Përgjithshme, Ministrisë së Drejtësisë, Ministrisë së Punës e Çështjeve Sociale si dhe të gjitha medieve, kjo shoqatë kërkon vënien e drejtësisë në vend, dhe institucioneve të kthejnë sytë nga banorët me probleme të mëdha ekonomiko sociale pas tragjedisë së 15 marsit 2007. "Vetëvrasja e Kujtim Osmanit është pasojë e drejtpërdrejtë e mungesës së vëmendjes së shtetit ndaj viktimave të tragjedisë.
I flakur në tragjedi familjare, pas humbjes së vajzës së tij, ky baba fatkeq 43 vjeçar është përballur edhe me vështirësi të mëdha ekonomike, e me papunësi e probleme të tjera individuale e sociale, të cilat natyrisht që kanë marrë shkak në depresionin e shkaktuar pas shpërthimit. Askush nuk i është gjendur pranë Osmanit në momentet e tij të errëta, asnjë shërbim social, asnjë ndihmë ekonomike, asnjë përkujdesje mjekësore, apo detyrime të tjera që shteti e institucionet duhet t'ia ofronin për të zbutur pasojat post-traumatike"-thuhet në letër.
Sipas tyre që nga dita e shpërthimit nga problemet depresive të ardhur nga humbja e të afërmeve të tyre kanë humbur jetën dy persona. "Pak muaj më parë ka humbur jetën si pasojë e depresionit dhe përkeqësimit shëndetësor e psikologjik edhe e ndjera Naile Ahmeti. Ndërsa dy ditë më parë kësaj liste iu shtua edhe vetëvrasja e Kujtim Osmanit që prej disa javësh po përjetonte stres dhe depresion të skajshëm"-theksojnë familjarët e viktimave, duke denoncuar edhe një herë kushtet çnjerëzore sociale e psikologjike që po përjetojnë familjarët e viktimave. Që sipas tyre janë flakur në varfëri, papunësi, e probleme me strehimin, ndërkohë që fatkeqësia familjare nuk na lejon të përballojmë me të gjitha forcat tona këto probleme jetësore që na prekin.
"Ktheni vëmendjen drejt Gërdecit, kësaj plage të cilës në rast se nuk i gjenden fajtorët rrezikon të kthehet në kancer social. Kërkojmë të përshpejtohet shqyrtimi dhe procedimi i të gjitha çështjeve ligjore që kanë të bëjnë me padrejtësinë që i është kryer viktimave të Gërdecit. Gjithashtu kërkojmë në mënyrë urgjente ndihmë sociale e shërbime shëndetësore për të gjithë familjarët e viktimave, të cilët në një vit e gjysmë janë lënë në indiferencë të plotë të enden dyerve të institucioneve pa marrë kurrë ndihmën që u takon"-thuhet në fund të letrës së firmosur nga kryetari i kësaj shoqate Feruzan Durdaj, babai i fëmijës 6 vjeç që humbi jetën në këtë shpërthim.