E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryebashkiakët socialistë, sot protestë para kryeministrisë


TIRANË- Të zgjedhurit socialistë në pushtetin vendor, kanë vendosur që të përshkallëzojnë përpjekjet e tyre për të bindur qeverinë që të heqë dorë nga cënimi i pushtetit të tyre, nëpërmjet mekanizimit të cungimit të taksave vendore. Të lodhur nga përpjekjet e tyre diplomatike, krerët e bashkive që drejtohen nga përfaqësues të Partisë Socialiste do të protestojnë sot, në orën 11, përpara selisë së kryeministrisë për të kërkuar të drejtat e tyre, që ua njeh jo vetëm ligji themeltar i shtetit, Kushtetuta, por edhe karta e autonomisë lokale. Pjesëmarrës në këtë protestë, pritet të jetë dhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama.

Kryebashkiakët socialistë, pretendojnë se qeveria me anë të ndryshimeve më të fundit të miratuara nga Kuvendi për uljen e disa taksave vendore dhe ndryshimi i destinacionit të derdhjes së tyre nga arka e pushtetit lokal, në atë të pushtetit qendror, ka sjellë cënimin e autonomisë së pushtetit vendor, çka sipas tyre në rast se nuk korrigjohet do të sjellë dhe kufizim të shërbimeve ndaj qytetarëve. Një nga ndryshimet e bëra në ligjin për taksat vendore dhe atë për taksat kombëtare, dhe që ndikon së tepërmi në zvogëlimin e buxhetit të bashkive dhe të komunave, është ai për taksën e tabelës për qëllime identifikimi. Në bazë të ligjit, zbatimi i kësaj takse në Bashkinë e Tiranës, është në nivelet 150 lekë në vit për tabelat në gjuhën shqipe, dhe 3.000 lekë për tabelat në gjuhë të huaj. Por me ndryshimet më të fundit, ajo unifikohet në një euro pavarësisht gjuhës së shkruar. Për të ndalur zbatimin e dispozitave të miratuara tashmë, të zgjedhurit nën siglën e Partisë Socialiste, i janë drejtuar edhe Gjykatës Kushtetuese, duke kërkuar papajtueshmërinë me ligjin themeltar të vendit.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›