Bode: Buxheti 2010, na lejon rritje pagash dhe pensionesh
Ministri i Financave theksoi se, gjatë vitit 2010 do të bëhen përpjekje për uljen e defiçitit dhe borxhit publik
Në krahasim me 2009-ën, të ardhurat dhe shpenzimet, në buxhetin e ri parashikohet të rriten me nga 25 mld lekë
TIRANË- Ministri i Financave Ridvan Bode kundërshton zërat kritik ndaj buxhetit të vitit 2010, duke theksuar se ai është tejet i realizueshëm, nëse merren në konsideratë të dhënat mbi të cilat është hartuar. Në këtë mënyrë, Bode i është përgjigjur përfaqësuesit të Fondi Monetar Ndërkombëtar në Shqipëri, Gerwin Bell, dhe Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, të cilët në daljet e tyre publike i kishin bërë thirrje që buxheti i vitit 2010 të ishte sa më realist. "Buxheti i vitit 2010, është tërësisht i realizueshëm pasi sot Shqipëria ka një rritje ekonomike, të paktën 3 herë më të lartë nga vendi me rritjen më të madhe ne Evrope", - tha Bode.
Deklarata, u bë gjatë prezantimit të buxhetit në konferencën e kryetarëve, ku ministri theksoi se vendi nuk u prek nga kriza ekonomike, duke bërë të mundur rritjen e mëtejshme të pagave dhe pensioneve gjatë vitit të ardhshëm. "Në vitin 2010 një sërë vendesh nuk arrijnë të korrigjojnë uljet e pagave dhe pensioneve që bënë gjatë këtij viti, ndërsa në shtetet e rajonit por edhe më gjerë do të ketë rritje të mëtejshme të defiçitit dhe borxhit publik. Në 2010-ën parashikohet rritje e pagave dhe pensioneve. Krahas kësaj parashikohet, edhe ulje e defiçiti vjetor dhe të borxhit publik", - tha Bode.
Sipas të dhënave, duke filluar nga data 1 Korrik 2010, pagat dhe pensionet do të pësojnë një rritje deri në 10 për qind, ku më privilegjuara do të jenë ato që janë në nivele të ulëta, si të infermierëve, arsimtarëve, administratës së ulët, etj. Gjatë vitit të ardhshëm, të ardhurat buxhetore parashikohet të rriten me me 12% ndërsa shpenzimet me 32 %. Në krahasim me vitin që po lemë pas, të ardhurat dhe shpenzimet në buxhetin e ri, parashikohen që të kenë një rritje me nga 25 miliardë lekë. Ndërsa, referuar të dhënave paraprake, ashtu si edhe në buxhetin e këtij viti edhe në atë të vitit 2010, defiçiti buxhetor parashikohet të vërtitet në shifrat e rreth 50 miliardë lekëve. Gjatë vitit të ardhshëm, Prodhimi i Brendshëm Bruto, parashikohet të rritet në nivelin e rreth 6.5 përqind-ve. Ndërsa inflacioni, parashikohet të mbahet në nivelin dy deri në tre përqind. Për sa i përket shpenzimeve për administratën, sipas të dhënave parashikohet që të ulet me 0.3 % të Prodhimit të Brendshëm Bruto.