Rama e Lakrori prezantojnë platformat para elbasanasve
Dy kandidatët për kreun e selisë rozë nisën dje përballjen nga qyteti i Elbasanit, duke shfaqur para socialistëve të zonës pikëpamjet e tyre për drejtimin e PS-së. Kandidati Lakrori foli për një drejtim kolegjial të partisë dhe së majtës së bashkuar, përfshi këtu edhe LSI-në. "PS duhet të jetë e hapur me mediat dhe publikun", tha ai duke përmendur edhe bojkotin e Parlamentit. Sipas tij, si kusht për t‘u kthyer në Parlament është rinumërimi në tri qarqe. Ndërsa kryetari i PS-së, Edi Rama, përmendi në fjalën e tij se nuk mund të pranohet që të qeverisemi nga një qeveri e tillë dhe nuk mund të falet maskarada zgjedhore. "Kjo është qeveri e shëmbëlltyrës së maskaradës zgjedhore. E refuzojmë këtë parlament jolegjitim, nuk pranojmë të qeverisemi nga një mazhorancë që është krijuar me numerikun më të vogël të mundshëm për të qenë në mazhorancë. Nuk mund ta falim maskaradën e 28 qershorit, pasi është gatuar nga Berisha-Meta-Nano", tha ai. Kandidatët për kryetarë partie i prezantojnë platformat përkatëse në aktivet e partisë në rreth dhe bashki në të njëjtën kohë, me një minutazh secili jo më shumë se 15 minuta. KZP organizon kalendarin e takimeve elektorale në rreth/bashkitë të kandidatëve për kryetarë të PS, një kopje të të cilit ua dorëzojnë përfaqësuesve zyrtarë të tyre pranë KZP. Takimet drejtohen nga kryetari i PS dhe nga kryetari i KZPRR/B i rrethit/bashkisë përkatëse. Ato janë të hapura për anëtarësinë, të cilët nuk duhet të shprehen hapur në favor ose kundër të një kandidati të veçantë. Prezantimet e kandidatëve shoqërohen me pyetje për ta, të cilat duhet të jenë të njëjta për të gjithë kandidatët. Sakaq, një tjetër nen parashikon praninë e vëzhguesve. Pika një e nenit 31 thotë se çdo kandidat ka të drejtë të caktojë dhe të ketë një vëzhgues për çdo vendvotim. Kandidati paraqet në KZP listën me emrat e vëzhguesve dy ditë para ditës së votimit. Vëzhguesi ka të drejtë të vëzhgojë të gjitha aspektet e votimit në vendvotim dhe të pasqyrojë vërejtjet që ka në procesverbalin e KVV dhe tabelën përkatëse të rezultatit.