Shkurtimet në buxhet e detyrojnë Amerikën të heqë dorë nga Hëna
Obama
Do të anulohet “Constellation program”, që synonte realizimin e një misioni të ri në Hënë brenda vitit 2020
Me kërkesën për buxhetin e vitit 2011 që Barak Obama do të prezantojë sot, do të zhduken tërësisht planet e NASA-s, të ndërtuara me ambicien e Xhorxh Bushit për të prezantuar eksplorimin e hapësirës dhe rikthimin e njeriut në Hënë. Shifrat financiare që Shtëpia e Bardhë do të prezantojë në fakt parashikojnë anulimin e “Constellation program”, që synonte realizimin e një misioni të ri në Hënë brenda vitit 2020. Por ky vendim përfaqëson edhe një goditje vdekjeprurëse në realizimin e “Ares 1”, që duhet të jetë pasardhësi i “Shuttle”, për të cilin agjencia ka shpenzuar miliarda dollarë. Në çdo rast, nënvizon “Washington Post”, duhet pritur nëse kongresi do t’ia hapë dritën jeshile politikës së re të kreut të Shtëpisë së Bardhë. Në të vërtetë, ky vendim pritet të shkaktojë reagime të ashpra. Artikujt e parë në shtyp provokuan protestat e kongresmenëve të zgjedhur në distriktet që janë më të interesuar në shkurtimin e shpenzimeve. I pari që është pozicionuar kundër vendimit të Obamës është Michael Griffin, ish-kreu i NASA-s, që ishte edhe “babai” i “Costellation program”. “Kjo do të thotë se SHBA ka vendosur të mos jetë protagoniste e rëndësishme në eksplorimin njerëzor në hapësirë në të ardhme”. Në të vërtetë, duket se Barak Obama ka ndërmend t’u kërkojë privatëve një angazhim më të madh në programin hapësinor amerikan: “Nuk kemi fondet e mjaftueshme për të garantuar rikthimin e njeriut në Hënë. Për të vazhduar këtë program, kemi nevojë për më shumë fonde të ardhura nga industria private”, ka deklaruar Presidenti i SHBA-së.
#