Familjet e dëshmorëve firmosin peticionin
Aleanca Kuq e Zi, këtë vit e ka përkujtuar ndryshe Ditën e Dëshmorëve, 5 Majin. Anëtarët e kësaj lëvizjeje kanë ndërmarrë një maratonë të re për firmosjen e peticionit kundër regjistrimit të popullsisë në bazë feje dhe etnie, duke e çuar atë në çdo familje dëshmori. Pjesëtarët e Aleancës Kuq e Zi vizituan dje familjen e Heroit të popullit Musa Fratari, ndërsa dhuruan nga një flamur kombëtar te çdo familje dëshmori që firmosi peticionin. Përfaqësuesit e Aleancës Kuq e Zi u shprehen se pikërisht për këtë flamur dëshmorët e atdheut dhanë jetën. Ideali i tyre është kombi dhe jo partitë. “Aleanca Kuq e Zi është pro regjistrimit të popullsisë, por kundër regjistrimit të popullsisë me deklarim etnik dhe fetar, për faktin se ky regjistrim po bëhet nën një presion të jashtëzakonshëm nga jashtë dhe brenda, për të rritur në mënyrë artificiale numrin e minoriteteve në Shqipëri, për ta kthyer Shqipërinë në një vend multietnik, me qëllim shpërbërjen e saj. Por, bazuar edhe në ëndrrat e dëshmorëve, në gjakun që ata kanë derdhur, do bëjmë që regjistrimi në Shqipëri të bëhet ashtu si në të gjitha vendet e Europës. Të jetë një regjistrim me shtetas shqiptarë”, - u shpreh Nuri Dragoi, përfaqësues i Aleancës Kuq e Zi. Ndërsa lidhur me minoritetet dhe me deklarimet fetare, ai ka pohuar se ato janë çështje që u përkasin institucioneve fetare ashtu si edhe minoritetet të gjejnë numrin e tyre në bazë të regjistrave të gjendjes civile, që janë të ruajtura prej 100 vitesh dhe janë shumë të sakta.