Standardet që duhet të plotësohen
Që një institucion shëndetësor të akreditohet, do të duhet të plotësojë disa standarde të përcaktuara tashmë, që kanë të bëjnë mbi të gjitha me pacientët dhe më pas me kushtet e ofrimit të shërbimeve. Standardet për institucionet shëndetësore janë ndarë në tri kategori: standardet minimale; standardet optimale; standardet e së ardhmes. Për t’u akredituar, institucioni ose praktika klinike duhet t’i plotësojë të gjitha standardet minimale dhe të arrijë rezultatin e përgjithshëm prej 70% të standardeve optimale. Standardet e së ardhmes paraqesin një kufi madje edhe më të lartë. Për t’u akredituar, institucioni ose praktika klinike duhet të arrijë rezultatin prej 40% të standardeve të së ardhmes. Të gjitha këto standarde do t’i duhen Ministrisë së Shëndetësisë, pasi ajo ka në dorë licencimin e institucioneve shëndetësore. Certifikata e akreditimit është një dokument që do të vihet në muret e çdo spitali dhe pacienti është ai që e shikon nëse duhet të marrë shërbim në një spital të pa akredituar apo jo. Për këtë arsye, akreditimi mbi të gjitha do të jetë një ndihmë e madhe për qytetarët, të cilët duhet të dinë se kujt spitali duhet t’i drejtohen dhe të jenë të sigurt aty ku shkojnë. Për përgatitjen e rregullores së akreditimit, Ministria e Shëndetësisë është bazuar në ekspertizën e QKCSA-ISH, përvojën ndërkombëtare të akreditimit dhe në bashkëpunimin me kompaninë “CEEN Consulting”, Vjenë-Austri, e cila bashkëpunoi në kuadrin e projektit të Bankës Botërore “Modernizimi i Sistemit Shëndetësor” në komponentin “Asistencë Teknike për Licencimin dhe Akreditimin”. Akreditimi i institucioneve bëhet çdo pesë vjet dhe për këtë proces Ministria e Shëndetësisë së bashku me Institutin e Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor do të parashikojnë buxhet për realizimin e tij.