E Diel, 1 Nëntor 2026

Pediatria, grafitë në privat, nuk ka më film

Prindërit që i kanë shtruar fëmijët në Pavijonin e Pediatrisë në QSUT duhet ta kryejnë grafinë në privat. Sikur të mos mjaftonin mungesat e stërzgjatura të barnave dhe medikamenteve të tjera mjekësore, tashmë te Pediatria ka mbaruar edhe filmi për grafinë. Ditën e djeshme në këtë pavijon pacientëve nuk u është ofruar kryerja e këtij shërbimi, pasi, sipas mjekëve, nuk ka më film për të kryer grafinë. Në këto kushte, bluzat e bardha i kanë drejtuar prindërit drejt klinikave private, ku ky shërbim kushton edhe më shtrenjtë sesa në spitalin ku ata kanë shtruar fëmijët. Shqetësimi për moskryerjen e këtij shërbimi ngrihet edhe nga vetë prindërit, të cilëve nuk ua kanë komunikuar këtë problem para se t’i shtronin fëmijët, por pasi ata e kanë bërë një gjë të tillë. Njëri prej tyre, që e ka shtruar vajzën të mërkurën te Pediatria nr.1 për shkak të mosuljes së temperaturës për tri ditë radhazi, tregon se mjekët pasi e kanë vizituar i kanë thënë se vajzat duhet të qëndrojë në spital pasi problemi i saj shëndetësor ka lidhje me infeksionet urinare. Ndërsa e ka shtruar vajzën në spital bazuar në rekomandimin e mjekëve, dje ky prind nuk ka mundur t’ia bëjë grafinë vajzës në shtet. Ditët e fundit është shtuar ndjeshëm numri i pacientëve të prekur nga virozat e stinës. Fëmijët e moshave pediatrike kanë qenë më të prekurit, pasi çdo ditë te Pediatria paraqiten 150 raste në ditë, ndërkohë 30-50 varion numri për të rriturit. Mjekët thonë se këto viroza kanë sjellë komplikacione në organizëm, në rrugët e frymëmarrjes, por fatmirësisht pa pasoja të rënda, ndërkohë që temperatura e lartë ka qenë një nga simptomat kryesore. “Ka një numër të konsiderueshëm paraqitjesh në ambulancën e pranimit. Edhe tani kemi viroza që prekin më shumë traktin e sipërm respirator, ku hyjnë rinofaringitet dhe ndonjëherë edhe infeksionet bakteriale të rrugëve të sipërme dhe të poshtme respiratore. Por, kemi edhe infeksione të traktit më të poshtëm respirator, bronkopneumonira”, - shprehet një prej mjekeve pediatre. Përballë këtyre virozave, mjekët japin këshillat e nevojshme për prindërit. Ata shprehen se nuk duhet të përdoren antibiotikët pa recetën e mjekut. “Kur ka raste që fëmijët janë të sëmurë me li, mundësisht t’i izolojmë sa më shpejt të jetë e mundur, në mënyrë që të mbrojmë kontaminimin e fëmijëve të tjerë. Nuk duhen përdorur në asnjë mënyrë antibiotikë pa kriter, qoftë edhe përdorimi i antipiretikëve pa kriter, pa këshillën e duhur se mund të ketë edhe toksikime nga të tilla gjëra, si për shembull nga paracetamoli ose të tjera preparate”, - këshillon më tej mjekja. Ndërkohë që gjatë këtij sezoni janë të pranishme edhe alergjitë e ndryshme, në veçanti ato nga polenet e luleve, të cilat, sipas mjekëve, sjellin komplikacione nëse nuk trajtohen.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›