E Diel, 1 Nëntor 2026

Regjistrimi i popullsisë, edhe historianët kundër fesë dhe etnisë

SHKRUAN: Jonida Tashi 06-05-2011 11:48

Historianët kërkojnë të ndalet regjistrimi i popullsisë, pasi ky proces jo vetëm që do të nxjerrë në dritë shifra fiktive, por do të jetë edhe në favor të palës greke. Regjistrimi i popullsisë në bazë të fesë dhe etnisë është kundërshtuar ashpër nga politikanë, historianë dhe përfaqësues të Ministrisë së Jashtme. Sabri Godo ka kërkuar ndërhyrjen e kryeministrit të vendit, Sali Berisha, që të kundërshtojë këtë proces i cili do të përdoret nga pala greke në një të ardhme të afërt. “Do të doja ta dëgjoja nga Berisha, nga ministri i Jashtëm dhe autoritetet, sepse këtu po luhet një lojë dhe po luhet haptas fare. Mjafton që të shohim deklaratat e Ministrisë së Jashtme greke, që përshëndet iniciativën e Berishës dhe të qeverisë shqiptare dhe kërkon ta realizojë sa më shpejt. Përse e ka këtë ngut qeveria greke? ǒi hyn në punë asaj bëjmë apo nuk bëjmë ne regjistrimin? Ata duan të rrisin numrin e qytetarëve me kombësi greke në Shqipëri, në kuadër në planeve të tyre për ardhmen. Kjo duhet të ndalet me çdo kusht dhe do kontributin e gjithsecilit”, - pohon Sabri Godo. Ndërsa drejtoresha e Arkivit të Shtetit, Nevila Nika, ka treguar se shumë pak familje e dinë prejardhjen e tyre dhe gjithçka mund të vërtetohet në Arkiv. “Pak familje në Shqipëri kanë pemë familjeje për të ditur saktësisht origjinën e tyre. Ka një mosinformim dhe është e dhimbshme që pak njerëz e dinë prejardhjen e tyre”, - shprehet drejtoresha e Arkivit të Shtetit. Sipas historianëve, ky regjistrim, i cili kërkohet me ngulm nga pala greke duhet të ndalet, pasi do të sjellë shifra fiktive. Ndërsa drejtori i Sektorit të Mbrojtjes së të Drejtave të Njeriut dhe Minoriteteve në Ministrinë e Jashtme, Qirjako Qirko, shprehet: “Prej disa muajsh vendi është përshirë në këtë debat. Janë përfshirë në këtë debat politikanë, analistë apo edhe qytetarë të thjeshtë. Në vlerësimin tim një angazhim i tillë pati një rezultat tepër të rëndësishëm: shtyrjen e regjistrimit dhe realizimin e një regjistrimi të saktë”. Këto deklarata janë bërë gjatë një takimi të përbashkët që është zhvilluar edhe në kuadrin e Ditës së Dëshmorëve. Një tjetër shqetësim i ngritur nga historianët në këtë takim është edhe fakti se gjatë 20 viteve të fundit mbi një e treta e popullsisë ka emigruar, çka ka sjellë që një pjesë e fëmijëve emigrantë të mos dinë Gjuhën Shqipe, një problem i cili kërkon zgjidhje. Projekti i regjistrimit të popullsisë, me vlerë 15 milionë euro, është kundërshtuar nga përfaqësuesit e komuniteteve fetare, historianët, organizata të ndryshme etj., të cilët kritikojnë pyetësorin me mbi 100 pyetje për regjistrimin e popullatës. Komunitetet fetare në vend

kanë dalë kundër regjistrimit mbi bazën e fesë dhe etnisë e edhe, pasi, sipas tyre, harmonia fetare, virtyti më i çmuar i shqiptarëve, që është lakmuar edhe nga mjaft vende të botës, rrezikon të na përçajë, nëse besimi fetar do të përdoret si e dhënë në regjistrimin e popullsisë. Madje, Komuniteti Mysliman i Shqipërisë gjatë mbledhjes së fundit të Këshillit të Përgjithshëm të tij ka dalë edhe me një qëndrim të qartë për këtë çështje. KMSH gjykon se regjistrimi i popullsisë mbi baza etnike dhe fetare nuk i shërben integritetit dhe stabilitetit social dhe politik në Shqipëri. Për këtë arsye, Komuniteti Mysliman i bënë thirrje organeve kompetente që në formularin e regjistrimit të popullsisë të hiqen pikat e vetëdeklarimit të etnisë dhe fesë. Regjistrimi popullsisë mbi baza etnike dhe fetare është bërë objekt debati gjatë kohëve të fundit, sidomos pas deklaratave të konsullit grek në Korçë, i cili u bënte thirrje vllehve të regjistrohen si greke. Fenomeni i ndërrimit të kombësisë nga shqiptarë në grekë në jug të vendit u denoncua nga nënkryetari i KLD-së, Kreshnik Spahiu, ndërkohë që kjo çështje është tashmë në Gjykatën Kushtetuese.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›