Familjet e mëdha dhe kontributi i tyre në histori
“Është nder dhe privilegj për mua që sot ndodhem me zonja dhe zotërinj të një gjaku blu fisnikësh, bijë të racës së lashtë pellazgo-ilire. Përgëzoj organizatorët e këtij tubimi historik, që sot pas 64 vjetësh, mblodhi rrënjët, shtyllën kurrizore dhe memorien e kombit në këtë tubim historik mbarëkombëtar.
Historia jonë kombëtare nuk fillon në shek. XV, por 3000 vjet para Krishtit. Kurse në gojën e studiuesve apo kronikanëve daton në fundin e shek. X e fillimin e shek. XI, me familjen Arianiti apo diku, Grana, Vrana, Hareni, familje me të cilën zë fill aristokracia feudale e Evropës Juglindore pra Ballkanit. Kjo familje kulmin e shkëlqimit e arriti në shek XV me princin Gjergj Arianiti, i cili u bë nismëtar i bashkimit të principatave arbre, duke martuar të bijën, Donikën, me Skënderbeun. Po vazhdoj me pak fjalë, sintezë e këtij tubimi:
Për gjysmë shekulli diktaturë u tjetërsua historia, u zhvat prona, u vodh identiteti shekullor i familjeve fisnike. U gënjyen brezat me një histori të gjymtuar, të gënjeshtërt, të njëanshme dhe tejet të politizuar. Për gabimin e një individi apo të një fajtori të pafaj u dënua një familje, një fis, u mohua një krahinë dhe u la në harresë në historinë tone kombëtare. Dënimi kolektiv, shpikja e “madhe” e diktaturës më të egër që ka njohur njerëzimi, shfarosi palcën kurrizore të kombit; fisnikërinë dhe intelektualë. Ndërsa duartrokiste Hamletin, demoni me penën e ngjyer në gjak shqiptari, nënshkruante vdekjen, burgosjen dhe internimin e rinisë, segmentit më vital të kombit. Truri i kombit u varros në këneta, kanale, miniera dhe aerodrome, duke u kthyer në shtretër gjarpërinjsh a fole mushkonjash. Për gjysmë shekulli, Shqipëria, parajsa ku kanë folenë perënditë, u shndërrua në një burg, ku kishte vetëm roje dhe të burgosur. Me zakon a me ligj, çdo kufomë ka të drejtën e një copë toke, ku të prehet. Por Shqipëria e bukur dhe e pasur, veç tejet e vuajtur dhe e varfër, u shndërrua në një varrezë gjigande mbushur plot me varre pa emër. U mohua fisnikëria, që në shekuj, si palca e kombit, pati vlerat e saj të pazëvendësueshme si në politikë, ekonomi dhe kulturë. Kombi u nda më dysh, në dy klasa armike. Lindi urrejtja dhe hakmarrja. Kjo u bë vetëm për të mbajtur në këmbë sa më gjatë kolerën komuniste, në shtet të pathemeltë. Pas rënies së diktaturës, shkaktarët e shfarosjes masive, të urisë e mizeries, të luftës klasore “u gjykuan”, ndërsa ata apo bijtë e tyre nisën të drejtojnë shtetin e ri demokratik. Sa për të qeshur dhe njëkohësisht për të qarë. Kriminelët a s’duheshin dënuar për gjenocid dhe jo për kafe e metrazhe? Duke i marrë e krimet e tyre për numër popullsie, them se është shfarosja më e madhe e shekullit dhe këto krime u bënë jo nga i huaji, por nga vëllezërit e një gjaku. Ndaj persekutorët për 18 vjet demokraci, as u penduan dhe as kërkuan falje, sepse nuk e njohin veten si të tillë.
E kanë pyetur veten historianët, se sa e ka dëmtuar Shqipërinë përçarja dhe lufta mes njëri-tjetrit? Jo. Komunizmi e varfëroi shqiptarin jo vetëm materialisht, por edhe mendërisht. U rriti oreksin qarqeve shoviniste të fqinjëve, të cilëve nuk u mjaftuan tokat që padrejtësisht rrëmbyen më 1913, por ende duan t’i zhvatin vendit në jug, juglindje e verilindje territore të tjera.
Po i drejtohem Presidentit dhe qeverisë shqiptare, se mes këtyre fisnikëve që i morën zvarrë, ka plot individë që japin vlera me profesionalizëm e intelekt, ndoshta japin më shumë se bijtë e atyre që dje na i mohuan vlerat, madje edhe fizikisht, kurse sot na drejtojnë. Tashmë ata vlerësohen me tituj, u jepen pensione të posaçme apo emërohen në vende me rëndësi. Integrimi i të harruarve a nuk duhet të vlerësohet? Kthimi i pronës pronarëve legjitimë, rivlerësimi i fisnikërisë dhe dënimi i krimeve të komunizmit, janë domosdoshmëri e shtetit demokratik, shtetit të së drejtës.
Gjithashtu i bëj thirrje memories së mediave, ta shkundin pluhurin e shekujve që ka mbuluar vlerat e kombit dhe t’u drejtohen këtyre fisnikëve që janë memoria e gjallë e historisë sonë. Brezat duhet t’i njohin të dy anët e historisë sonë të pashkruar dhe të shtrembëruar. Nga ky tubim ju bëj thirrje: Kurrë mos harroni se jemi shqiptarë, jemi autoktonë në këto troje.
Pavarësisht nga bindjet, ne jemi vëllezër të një gjaku. Kemi nevojë për vëllazërim e dashuri dhe jo për përçarje e urrejtje. Mesazhi im është ky: Nëna nuk i do fëmijët të ndarë, prej drobitjes zemra i pikon gjak. Mos harro të më buzëqeshësh pak! Zgjatma dorën të ecim bashkë. A e bëjnë dot këtë persekutorët tanë?!
*Fjala në konferencën e parë kombëtare me temë “Familjet e mëdha fisnike dhe kontributi i tyre në historinë e kombit dhe shtetit shqiptar”