Familjet e përmbytura, Shërbimi Social hap qendra rezidenciale

Tiranë, 13 Janar NOA/Blerina Ahmetaj - Përveç
ndihmave me ushqime dhe veshmbathje për familjet e përmbytura në zonën e Nënshkodrës
dhe qytetit do të ofrohen dhe shërbime sociale. Drejtoria e përgjithshme e Shërbimit
Social Shtetëror ka udhëzuar Shtëpinë e fëmijës, qendrat e përkujdesjes sociale
dhe atë të moshuarve të pranojnë çdo lloj kategorie që ka nevojë për shërbime
sociale, për shkak të situatës që krijuan përmbytjet në këto zona.
Do të pranohen të gjitha llojet e kategorive
të fëmijëve e të rriturve, që nga jetimët, personat me aftësi të kufizuar, fëmijët
në nevojë por dhe të moshuarit për të marrë shërbim të specializuar nga stafi
ynë. Kuptohet që këto shërbime do të jenë të përkohshme deri në normalizimin e
situatës, u shpreh drejtori i Shërbimit Social Shtetëror, Mihal Naço i cituar
nga agjencia e lajmeve NOA.
Për familjet e akomoduara në vendet e caktuara
nga shtabi i Emergjencës, Shërbimi Social Shtetëror do të dërgojë psikologë për
ti ardhur në ndihmë sidomos fëmijëve të traumatizuar nga pasojat e fatkeqësisë.
Do të përfshijë në këto shërbime jo vetëm
strukturat tona por do të kërkojmë ndihmë dhe nga personeli në universitete dhe
nga shoqëria civile që merret me këtë fushë, tha Naço.
Një tjetër masë ekonomike që është marrë për të
lehtësuar sadopak dëmet që shkaktuan përmbytjet është dhe futja e familjeve të
prekura nga fatkeqësia në skemën e ndihmës ekonomike.
Sipas shërbimit social shtetëror këto masa janë
të përkohshme deri në rikuperimin e dëmeve dhe normalizimin e jetës në këto
zona.
b.a/e.r/NOA