Vrau bashkëshortin, kërkohen 4 vite burg
PRETENCA
Vitore Suçi qëlloi me thikë bashkëshortin pas dhunës ndaj saj dhe vjehrrit
TIRANË- Prokuroria e Tiranës pas tre seancave gjyqësore të shqyrtuara në aplikim të gjykimit të shkurtuar, lexoi para gjykatës konkluzionet përfundimtare ndaj të pandehurës Vitore Suçi ku kërkoi nga gjykata dënimin e saj me 4 vjet burg për vrasjen e bashkëshortit të saj me thikë.
Sipas pretencës së prokurorit Ervin Karanxha, 28- vjeçarja Suçi ka kryer veprën penale të "vrasjes në kushtet e tronditjes së rëndë psikike", pasi bashkëshorti i saj Marash Doda, ushtronte dhunë ndaj saj dhe prindërve të vajzës.
Sipas fjalës së prokuroritt Karanxha, e pandehura ka pranuar krimin dhe është penduar për atë që ka bërë, por, ka qenë e detyruar për shkak të dhunës së vazhdueshme gjatë tri javëve të bashkëjetesës së tyre në banesën që ndodhej në Bregun e Lumit, pranë ish- kombinatit "Josif Pashko".
Sipas pretencës, e pandehura Suçi pas dhunës së vazhdueshme dhe kushteve të këqija në çift kishte vendosur që pas tre jave bashkëjetese të largohej nga viktima Marash Doda.
Një gjë të tillë, viktima nuk e ka pranuar duke kundërshtuar vendimin e saj për ta braktisur.
Në pamundësi për tu larguar vetë, e pandehura ka thirrur prindërit që të shkonin ta merrnin. Me datë 28 gusht të vitit 2008, rreth orës 14:00 të drekës, prindërit e vajzës kanë shkuar në shtëpinë e viktimës Doda për ta marrë bijën e tyre.
Ata kanë hasur në rezistencë të 40- vjeçarit Doda, i cili i ka goditur me grusht dy të moshuarit. Në këtë momente ka ndërhyrë e bija e të moshuarve, e pandehura Suçi e cila ka kërkuar të mos i qëllonte prindërit e saj duke u përballur vetë me dhunën e viktimës Doda.
Por, në rrahje e sipër, e pandehura ka mundur të përvidhet në kuzhinë ku ka marrë një thikë buke dhe e ka qëlluar menjëherë viktimën Doda, i cili nga kjo goditje ka mbetur i vrarë në vend.
Sipas prokurorisë, viktima Mirash Doda dhe Vitore Suçi, kishin vetëm tri javë që ishin martuar, por për shkak të dhunës nuk mundi të shkonte më tepër.