Vihet në pranga "mashtruesi i pleqve"
Një operacion i policisë së Durrësit ka çuar në arrestimin e Ferit Saliut, i dënuar edhe më parë për mashtrim
DURRËS - Blutë e Durrësit kanë arritur të vënë në pranga të ashtuquajturin "mashtruesi i pleqve", pas denoncimit të një të moshuare në Durrës për vjedhjen me anë të mashtrimit të 120 mijë lekëve dhe 500 eurove.
Ferit Saliu, i njohur tashmë, pasi ka qenë i dënuar edhe më parë për të njëjtën akuzë, u vu në pranga dje pasdite në Tiranë. Policia e Durrësit bëri të ditur se arrestimi u krye në vilën e tij trekatëshe në rrugën e Dibrës në Tiranë.
Ky person ka qenë i dënuar edhe në vitin 2003 me katër vjet burg për veprën penale të "vjedhjes me anë të mashtrimit".
Madje është edhe personazh i librit të gazetarit Ferdinand Dervishi për manovrat e tij në mashtrimin e personave të moshuar. Historia e tij konsiston në prezantimin si biznesmen në familjet ku jetojnë pleq.
Ai pasi pi një kafe në shtëpinë e tyre, iu kërkon t'i thyejnë para. Pasi mëson vendndodhjen arkës së kursimit, i grabit. Ndaj edhe ka marrë nofkën "mashtruesi i pleqve".
Së fundi ai është denoncuar nga shtetasja Vasilika Llambi, e cila pasi ka përshkuar personin që i ka hyrë në banesë, e ka akuzuar se i ka vjedhur 120 mijë lekë të reja dhe 500 euro që i mbante në kursimet e saj.
Aksioni i policisë së Durrësit ka zgjatur disa orë pasi është marrë edhe leje nga policia e Tiranës. Tashmë ai gjendet në paraburgimin e Durrësit, nën akuzën e "vjedhjes me anë të mashtrimit".