E Diel, 1 Nëntor 2026

Familjet kundërshtojnë ndërtimin e një resorti turistik në Shqipëri

Nga Kerin Hope, “Financial Times”

Arben Leka hap me kujdes një dokument ngjyrë kafe që ka vite, dhe rrëshqet gishtin te një listë e shkruar me dorë e pronarëve të tokës, që është skicuar që në vitin 1937.

Lekajt janë një nga 129 familjet që luftojnë kundër ndërtimit të një resorti turistik me pesë yje në Shqipëri.

Kompania “Riviera” me qendër në Tiranë dëshiron të ndërtojë një resort me 800 krevate në gjirin e Kakomesë, një gjysmërreth me rërë të bardhë dhe me pemë ullinjsh mbrapa, një oaz gjelbërimi të përhershëm dhe manastiri i shekullit të 13 i Shenjtores Mari.

Kompania ka ndërtuar barriera duke rrethuar gjirin dhe ka bllokuar hyrjen për në manastir.

“Ne të gjithë kemi tituj pronësie, po e mbrojmë pronën në gjykatë, kurse buldozerët kanë rrethuar zonën dhe ne nuk kemi akses në pronën tonë”, - thotë zoti Leka, një inxhinier civil.

Dritan Çelaj, president i kompanisë “Riviera”, thotë se Kakomeja është një tokë publike. Kompanisë së tij i është dhënë një qira 99-vjeçare në vitin 2004 për zhvillimin e gjirit, por projekti prej 40 milionë eurosh nuk u zbatua dhe u vendos në pritje pas protestave nga ana e banorëve dhe ndryshimit të qeverisë.

Vladimir Kumi, kryetar komune në Nivicë, 6 kilometra nga Kakomeja, ku jetojnë shumica e protestuesve, thotë se shumica e familjeve kanë tre tituj pronësie për tokën e tyre. Një daton që prej vitit 1870, kur Shqipëria ishte pjesë e Perandorisë Osmane, një tjetër i lëshuar nga regjistri i pronave i hartuar nga Mbreti Zog në vitin 1930 dhe një i tretë i vitit 1994, kur u bë rikthimi i tokës së kolektivizuar nën regjimin komunist.

Përplasjet për pronësinë e tokës janë shumë të shpeshta përgjatë bregdetit malor të jugut të Shqipërisë, kryesisht për shkak të potencialit të zhvillimit si një nga brigjet e fundit të virgjëra të Mesdheut.

Rikthimi i tokës te pronarët e periudhës para komunizmit vazhdon të jetë një çështje e mprehtë, me shumë pretendime akoma të pazgjidhura.

Një regjistër i ri i pronave, i ngritur me asistencën e ekspertëve të huaj, ka një listë të gjatë aplikimesh për tituj pronësie.

E lehtë për të influencuar

Sistemi gjyqësor shqiptar është kritikuar nga Komisioni Evropian si i dobët dhe i hapur ndaj influencave, duke shtuar vështirësitë e zgjidhjes së çështjes së pronësisë përmes gjykatave.

Protestuesit, që preferojnë ta quajnë veten “Klubi 129”, thonë se ata nuk kanë kundërshtime për zhvillimin e turizmit të “butë” në Kakome - shtëpi të vogla të pavarura apo hotele - pasi pretendimet për pronësi të jenë njohur dhe ata të kenë pjesë në projekt.

Qeveria e qendrës së djathtë e kryeministrit, Sali Berisha, e kundërshtoi projektin, kur ishte në opozitë. Tani ajo mbështet zotin Çelaj.

Ylli Pango, ministër Turizmi, thotë se sektori po rritet me shpejtësi, me një rritje prej 60 për qind të vizitorëve gjatë vitit të kaluar, duke e çuar numrin në 2 milionë.

“Shumica e vizitorëve vijnë në Shqipëri për fundjava të lira përgjatë bregut. Por ne duhet të zhvillojmë dhe një numër të vogël të resorteve cilësore”, - thotë ai. “Kakomeja është një shembull i tillë”.

Vizitorët do të fluturojnë për në ishullin grek të Korfuzit dhe më pas të kalojnë me varka për në Kakome. “Riviera” planifikon të ndërtojë një resort me 800 krevate, që do të krijojë dhe qindra vende pune. “Sigurisht që ne do iu ofrojmë vende pune vendasve”, - thotë zoti Çelaj.

Shumica e banorëve të Nivicës u larguan pas rënies së komunizmit për t’u punësuar në ndërtim dhe turizëm në Greqi, duke lënë pas të vjetrit që kujdesen për shtëpitë dhe ullinjtë.

Në verë, popullsia e fshatit rritet nga 400 në më shumë se 2000 banorë, për shkak se familjet rikthehen për të rikonstruktuar shtëpitë dhe për t’u çlodhur buzë detit.

Akuzat për braktisje

Falë kontributeve nga diaspora e saj, Nivica mblodhi 20 mijë euro përmes një projekti të Bankës Botërore për të ndërtuar një rrugë të asfaltuar dhe për të sjellë ujë të rrjedhshëm në fshat.

“Zyrtarët na akuzojnë se po braktisim pronën dhe po lëmë vendin”, - thotë Vangjel Cari. Ai ka punuar për dhjetë vite në hotelet greke, përpara se të kthehej për të drejtuar kafenë e fshatit.

“Në fakt, ne po investojmë, në mënyrë që të bëjmë turizëm në mënyrën që ne duam”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›