E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të jesh njeri me merita

Nga Mero Baze

Dëgjova kryeministrin në konferencën e djeshme për shtyp pas kthimit nga Kina. E pyetën për centralin bërthamor. Përgjigjja ishte se unë kisha manipuluar medien kroate, sllovene, malazeze dhe shqiptare, dhe nuk ishte e vërtetë. E pyetën për privatizimin e ARMO-s. Përgjigjja ishte se unë isha kundër fituesit të parë, se doja fituesin e dytë, i cili realisht është një militant i PD nga Kukësi, mik në kohë të vështira i Berishës, ish-prodhues i ujit “Lajthiza”, tashmë në biznesin e naftës. E pyetën për prokurimin e licencës së katërt drejtpërdrejt nga Kuvendi. Përgjigjja ishte se unë isha me atë që doli i dyti (edhe pse nuk kishte fare të dytë dhe s’ka fare tender).

Nuk kam ndërmend të sqaroj njeri se kryeministri gënjen, pasi është një mision i panevojshëm për shqiptarët. Nuk është nevoja të them se askush nga pronarët e “Vizion Plus”, as ata gjermanë dhe as ata shqiptarë, nuk kanë konkurruar për ndonjë licencë celulari, pasi thjesht nuk kanë konkurruar. Nuk kam ndërmend të them që ai “Besniku i Tajvanit” nuk ka konkurruar fare për ARMO-n, pasi thjesht nuk merret me naftë, dhe nuk ka konkurruar. Nuk kam ndërmend të them se unë jam një superfuqi që drejtoj medien kroate, medien sllovene, “New York Times” dhe çdokënd që shkruan kundër marrëzive të Sali Berishës, thjesht se nuk jam kaq i zoti, edhe pse do të doja të isha.

Nëse ka një gjë që bashkon atë që ka fituar ARMO-n, atë që po merr celularin e katërt, dhe ata që po marrin licenca centralesh e termocentralesh, nuk jam unë që i kam denoncuar, por është fakti se të gjithë janë biznesmenë që kanë avokate Argita Berishën. Unë ndjehem i nderuar që i shfaqem në gjumë kryeministrit në çdo aferë korruptive që atij i shpërthen, por do t’i lutesha të m’i kursente lëvdatat, se jo të gjitha skandalet ia kam bërë unë publike. Disa, madje shumë prej tyre, thjesht i ka bërë vetë, nga makutëria dhe padituria.

Por dhe unë kam pjesën time të kontributit në historitë e mëdha të korrupsionit të familjes së Sali Berishës. Kam denoncuar i pari djalin e tij që ka lobuar për kontratën e vdekjes në Gërdec, i kam bërë publike korrespodencën e Aldo Bumçit me të, dhe vënien e shtetit në shërbim privat të djalit të tij dhe do t’i bëj ndonjë surprizë dhe më të këndshme pas ca ditësh po për këtë çështje.

I kam provuar dhe po ashtu do t’i provoj në ditët që vijnë se gjithçka në Gërdec ishte punë e djalit të tij dhe botuesit të gazetës “55”, Fahri Balliu, që nga ndërtimi e deri te shpërthimi. Vetëm lekët e varrimit ishin të qeverisë.

I kam provuar dhe do t’i provoj në ditët që vijnë se vajza e tij është “dispeçerja” e licencave për parqe energjitike dhe investitorë që vijnë për koncesione në Shqipëri. Ajo që është dëshpëruese në gjithë këtë histori, është fakti se Sali Berisha tashmë është mbledhur në strofkën e tij për të mbrojtur si ujkonja këlyshët e rrezikuar, gjithë fëmijët e tij biologjikë dhe politikë, që janë të përfshirë në skandalet e korrupsionit në Shqipëri.

Tashmë ai po shkatërron PD për të mbrojtur Aldo Bumçin, vetëm që ai të ketë imunitet, kur të dëshmohet se i raportonte Shkëlzen Berishës, tashmë ai po shkatërron PD, vetëm që të mbrojë Fahri Balliun, që ka ndërtuar fabrikën e vdekjes në Gërdec, tashmë ai po shkatërron koalicionin, vetëm që të mbrojë Fatmir Mediun, që të mos dëshmojë për djalin e tij, tashmë ai po shkatërron imazhin e Shqipërisë, vetëm që të mbrojë Lulzim Bashën, me të cilin ndan një histori të pistë parash dhe aferash familjare.

Tashmë, të jesh njeri me merita në PD dhe në pushtetin e Sali Berishës duhet të jesh i inkriminuar. Nëse nuk ke ndihmuar Shkëlzenin për Gërdecin, nuk ecën dot para në politikë, nëse nuk je klient i Argitës, nuk ecën dot para në biznes. Kjo është ajo çfarë iu ofron Sali Berisha sot shqiptarëve.

E kuptoj nervozizmin e tij ndaj meje dhe punës sime si gazetar. I kuptoj hienat e tij që sillen rrotull, duke kërcënuar, djegur e shkatërruar, dhe u kujtoj se nuk harroj asgjë prej tyre, madje as fytyrat e tyre në mesnatë. E kuptoj dëshpërimin e tij që ka njerëz që i prishin projektet e tij për ta bërë Shqipërinë shtet të familjes së vet. Por mbi të gjitha, kuptoj jo pa gëzim, se ka degraduar në një gënjeshtar të rëndomtë ordiner, që nuk ka më asnjë argument për t’u mbrojtur nga skandalet që po i shpërthejnë njëri pas tjetrit dhe shpif. Edhe pse turpërohem si qytetar i këtij vendi që ka degraduar në një nivel të tillë si kryeministër, ndihem i qetë që puna ime dhe e kolegëve të mi ka funksionuar dhe ai është sot i zbuluar para shqiptarëve, edhe si hajdut i paaftë, edhe si gënjeshtar i rëndomtë. Më shumë se kaq nuk mund të bënim.

Zoti na ka ndihmuar dhe na ndihmon përditë, pasi, kur heshtim ne, qoftë dhe sa për të marrë frymë, flet vetë kryeministri dhe i bind vetë shqiptarët për gjithçka u kemi thënë ne!

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›