Loja e Berishës me Bollanon, Alibeaj e dënon, kryeministri e mbron
Dënimi i kreut të Bashkisë së Himarës, Vasil Bollano, nga Gjykata e Faktit në Vlorë rrezikon të shkaktojë një furtunë të vërtetë në politikën shqiptare. Pak ditë para mbërritjes në Shqipëri të kryeministrit grek, Kostas Karamanlis, një gjykatë e Shqipërisë, e drejtuar nga Shkëlzen Selimi, mik i ngushtë i ministrit të Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, ka marrë vendim për penalizmin e kreut të bashkisë jugore.
Gjithçka duket e stisur nga vetë kryeministri, Sali Berisha, i cili tenton kështu të mbajë nën presion Partinë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, e cila ka shprehur rezerva të forta për qeverisjen e Berishës, duke paralajmëruar daljen nga koalicioni. Një sondazh i fundit tregonte se PBDNJ, në koalicion me PS, do të ishin forcë fituese në zgjedhje.
Por, i trembur nga reagimet që mund të vijnë nga fqinjët, Berisha ka nxituar të reagojë vetë për vendimin, duke mbrojtur Bollanon.
“Kryeministri Berisha, duke mbetur gjithmonë shumë i ndjeshëm ndaj respektimit dhe garantimit të të drejtave dhe lirive të çdo qytetari, si dhe për respektimin e plotë të pavarësisë së sistemit gjyqësor, mendon se interpretime dhe zbatime të ligjeve, të cilat mund të mbartin nuanca politike dhe arkaike, nuk i shërbejnë qëllimit të vendosjes së ligjit”, - thuhet në njoftimin e Kryeministrisë.
Vendimi
Kreu i Bashkisë së Himarës, Vasil Bollano, është dënuar dje nga gjykata e Vlorës me 6 muaj burg dhe 500 mijë lekë të reja. Përveç kësaj, Bollano nuk duhet të ushtrojë funksione publike për tre vjet me radhë. Menjëherë pas vendimit, kreu i Bashkisë së Himarës e ka cilësuar procesin gjyqësor në ngarkim të tij si nacionalist dhe me ngjyrime politike. Të njëjtin qëndrim ka mbajtur dhe Partia e Bashkimit për të Drejtat e Njeriut, e cila ka dalë në mbrojtje të Bollanos. Tashmë, ky i fundit ka të drejtën që brenda 10 ditëve të apelojë vendimin e gjykatës.
Sipas vendimit përfundimtar të gjykatës, Bollano ka dhënë dy urdhra të kundërligjshëm për heqjen e sinjalistikës në një rrugë, gjë që nuk ka qenë nën juridiksionin e Bashkisë së Himarës. Pozicioni që ka Bollano dhe fakti që nuk qenë i dënuar më parë, ka lehtësuar vendimin e gjykatës, e cila ka vendosur që ai të vuajë dënimin në një burg të sigurisë së ulët. Për këtë fakt gjykata dha vetëm gjysmën e dënimit të kërkuar nga ana e organit të akuzës, që kishte kërkuar shpalljen fajtor dhe dënimin e Bollanos me një vit burg. Sipas vendimit të gjykatës, “gjoba duhet të shlyhet brenda një viti nga vendimi i formës së prerë dhe për 3 vjet nuk duhet që të ushtrojë funksione publike”. Gjatë dhënies së vendimit përfundimtar nga ana e gjykatës, në sallën e gjyqit nuk ka qenë i pranishëm as avokati mbrojtës dhe as Bollano, po vetëm prokurori i akuzës, Sokol Malaj. Tashmë, kreu i Bashkisë së Himarës ka të drejtën e apelimit të vendimit të gjykatës brenda 10 ditëve.
Hetimi
Shkak për nisjen e hetimeve për kreun e Bashkisë së Himarës, Vasil Bollano, u bënë ankesat e disa banorëve të zonës, të cilët kanë njoftuar prokurorinë për dëmin e shkaktuar në heqjen e tabelave orientuese në aksin Qeparo-Qafë Llogora. Pas verifikimeve në terren, ka rezultuar se policia bashkiake e Himarës i ka hequr ato me urdhër të kryetarit Vasil Bollano. Kështu, sipas hetimeve të organit të akuzës, kreu i Bashkisë së Himarës është përgjegjës për heqjen e tabelave orientuese (sinjalistikë) në gjuhën shqipe, nëpër rrugët e bregdetit, nga fshati Qeparo deri në Qafë-Llogora. Nga verifikimet në terren, prokurori bëri me dije gjatë procesit gjyqësor se rezultoi që dëmi ekonomik i shkaktuar nga ky akt ishte 21 milionë lekë. Bollano nga ana e tij është mbrojtur duke thënë se tabelat, përveç gjuhës shqipe, duhet të shkruheshin edhe në greqisht, pasi, sipas pretendimeve të tij, kjo zonë është e banuar nga minoritarë grekë. Për vendosjen e tabelave është organizuar tenderi prej 5.3 milionë lekësh, i zhvilluar nga Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, me objekt vendosjen e sinjalistikës rrugore në aksin rrugor Orikum-Himarë-Sarandë -Butrint. Gjatë punës së saj, firma fituese e tenderit, “AGE & CO sh. p. k.”, ka hasur probleme me Policinë Bashkiake të Himarës, e cila nuk ka lejuar vendosjen e tabelave sinjalistike. Të nxitur nga kjo situatë e krijuar, nga firma tenderuese është kërkuar takim me kryetarin e Bashkisë së Himarës, Vasillaq Bollano, i cili është shprehur se vendosja e tabelave është kompetencë e bashkisë dhe për këtë duhet të merrte leje prej saj. Gjyqi ndaj Bollanos nisi më 17 qershor të vitit të kaluar, pasi nga prokuroria u ngrit një padi penale, si pasojë e mjaft akuzave dhe denoncimeve që mbërritën ndaj emrit të tij prej banorëve të zonës, si edhe medias. Tashmë, procesi gjyqësor në ngarkim të Bollanos mori fund me vendimin e djeshëm të gjykatës, ndërkohë që pritet dhe vendimi i Apelit. Në rast se dhe kjo e fundit do ta shpallë fajtor, kreu i Bashkisë së Himarës do të përfundojë në burg, për të vuajtur dënimin prej 6 muajsh.
Bollano: Gjyqi ndaj meje, i stisur dhe me ngjyrime politike
Pas vendimit të dhënë nga gjykata për dënimin e tij, kreu i Bashkisë së Himarës, Vasil Bollano, e ka cilësuar procesin gjyqësor në ngarkim të tij si të stisur dhe me ngjyrim të pastër politik. “U bë më se një vit që gjykata dhe prokuroria e Vlorës duan me patjetër të gjykojnë kryebashkiakun Bollano. Ky është një gjyq i stisur dhe politik nga njerëz që iu shërbejnë segmenteve të caktuara ekonomike dhe politike, pasi në bazë të asaj që shkruhet në Kushtetutën e Shqipërisë, si kryebashkiak unë kam të drejtë në bazë të ligjit të marr vendime, si ato dy që mora në territorin që kam në juridiksion të bashkisë që drejtoj”, - u shpreh Bollano vetëm pak orë pas vendimit që gjykatës. “Vetëm një gjykatë dhe një prokurori e tillë mund të veprojë kështu dhe të kërkojë të bëjë gjyq për një shkelje administrative, nëse do të shihej kështu. Prokurori i çështjes, Sokol Malaj, ka vepruar si person që iu shërben segmenteve të caktuara ekonomike dhe politike, dhe me një nacionalizëm ekstrem, që në momentin që në pretencën e dhënë prej tij ka deklaruar se në urdhrat e mi ishte shkruar të hiqen, me qëllim që të shkruhen në gjuhën greke”, - u shpreh Bollano. Bollano shtoi se do t’i shkojë çështjes deri në fund në të gjitha instancat e gjykimit, derisa të dalë i pafajshëm.
PBDNJ: Vendimi për Bollanon, me ngjyrime nacionaliste
Menjëherë pas vendimit të Gjykatës së Vlorës për dënimin me 6 muaj burg të kreut të Bashkisë së Himarës, Vasil Bollano, ka reaguar Partia e Bashkimit për të Drejtat e Njeriut. Kjo e fundit ka dalë në mbrojtje të Bollanos, duke e cilësuar vendimin për dënimin e tij si të padrejtë dhe me ngjyrime të theksuara nacionaliste. “Vendimi me burgim për Bollanon të kujton kohërat e vjetra. Është një vendim, i cili nuk mund të gjendet në asnjë vend tjetër të Bashkimit Evropian”, - ka deklaruar lidhur me një fakt të tillë kryetari i PBDNJ, Vangjel Dule. Sipas tij, kryebashkiaku Bollano u dënua, se zbaton ligjet dhe se ai nuk ka bërë asgjë tjetër, veçse i ka respektuar ato, duke cilësuar se “vendosja e tabelave është një e drejtë e vendorëve”. Më pas Dule pohoi se në gjykatat shqiptare ka njerëz të verbër nacionalistë, të cilët marrin vendime të tilla që bien ndesh me drejtësinë e vërtetë dhe që nuk i gjen në Bashkimin Evropian. Dule ka bërë thirrje që vendimi ndaj Bollanos të mos zbatohet, pasi, sipas tij, ai është një vendim i pastër nacionalist dhe që nuk ka baza ligjore.