Surpriza e “Krijimit”, të tentosh shumë dhe guximshëm
Në vitin muzikor botëror të mbushur me tingujt e mrekullueshëm të artit të klasicizmit muzikor Joseph Hajden të cilit i përkujtohet sivjet 100-vjetori i vdekjes – tentimi për të cilësuar për ekzekutimin jubilar Veprën e tij kolosale për nga vlerat së pari por dhe nga vëllimet, - është i fortë.
Të zgjedhësh mes katalogut të tij “Die Schopfung” (“Krijimi” – në shqip) është të tentosh shumë dhe guximshëm. Kjo pasi “Krijimi” nuk është thjesht një Oratorium i madh si krijimi muzikor në vetvete, mbase dhe kjo do të mjaftonte për zgjedhjen përkujtimore. Por “Die Schopfung” është një vepër me valenca të shumëfishta përmbajtjeje dhe realizimi muzikor.
Është “Krijimi” i një vepre unikale.
Është unikale mbasi para saj arti muzikor nuk kishte mundur t’i përqaset një temë të tillë qendrore për historinë dhe filozofinë e njerëzimit siç është “Krijimi i gjithësisë”
Muzika në vetvete mundi të trajtonte ndërkohë fenomene të veçanta apo aspekte të rëndësishme të historisë apo mendimit njerëzor (mjafton të kujtojmë “Pasionet” e Bahut apo Oratorin “Messiah” të Hendelit), të bëhej ndërkohë faktor arti me fizionominë e vet sa të pavaruar nga artet e tjera kaq dhe bashkëpunuese me to.
Por të rrokte në një vepër përgjithësime të ideve mbi krijuesin, kozmosin, dhe rrugëtimin e këtij, “Krijimi”, nuk ishte realizuar as nga Hendeli i madh të cilit i mbeti ëndrra në sirtarin e tij gjigand të krijimtarisë as nga ndonjë tjetër. Prandaj unikal mbetet realizimi i veprës historikisht por edhe referenca e saj në kohë, sepse unike është dhe ajo çka Hajdeni bashkoi nga tradita e deritanishme gjermane dhe angleze por edhe nga vetë prurja e tij si autor.
Kjo dypërkatësi e kësaj vepre, bazuar mbi një traktat ta quajmë të mendimit njerëzor dhe filozofik të kohës, tepër të kërkuar dhe me rezonancë të vijueshme si “Paradise lost” të Johnn Miltonit, ishte një impenjim i ri për autorin e veprave paraardhëse oratoriale si “Shtatë fjalë e fundit të Krishtit në kryq” (1797) deri tek “Krijimi” (1798). Gjithashtu krijimi i këtij oratori me temë universale në gjuhën gjermane ishte një guxim në vehte po t’i referohemi traditës latine paraardhëse (Bach, Hendel) që ishte e përhapur në kulturën muzikore dhe fetare të kohës.
“Vorstellung des Chaos” (Paraqitja e Kaosit) me trajtesën filozofike e ka detyruar autorin Haydn të shrydhë imagjinatën krijuese, të hidhet mjaft përpara në kohë dhe gjuhën muzikore duke realizuar natyrshëm një vizion gati postromantik dhe gati të pamundshëm për t’u zbuluar deri në fund edhe sot.
Mbas kësaj përballjeje me fillesën pak nga pak zbulohet ndezja e shkëndijës krijuese në çdo numër e recitativ. Surpriza e krijimit nga “Licht” (Dritë) deri në momente deskriptive të krijimit të deteve, oqeaneve, qenieve gjalluese e deri tek njeriu, janë faqe muzikore të përkryera dhe të fuqishme. Dhjetë ditë dhe dhjetë fjalë simbol të cilat dhe pa zbuluar tekstin ua gjen kontekstin në muzikën e veprës.
Ngjizja e fjalës me tingullin muzikor është e një kohezioni të tillë sa askush nuk mund të përcaktojë parësoren mes tyre.
Vepra e Haydn-it që kemi në dorë është një “Udhërrëfyes” (guidë) në avancë për atë që do të ndodhë më pas në zhvillimet muzikore. Si një mësues i shkëlqyer mjeshtrash të së ardhmes, duket sikur zemërgjerësia e mjeshtrit ka furnizuar me shumë ide dhe pikënisje faqe të tepërnjohur të gjenive pasardhës Mozart, Beethoven, Schubert, etj. Vetëm një ndërmarrje e tillë kolosale si muzikimi i tekstit biblik mund të shpërthejë metafizikisht një krijimtari të tillë që buron nga tingulli muzikor.
Atmosfera e një kryeqyteti të muzikës botërore sidomos për kohën, si Viena, ishte mjedisi mrekullues ku mund të gjallonte një krijimtari e tillë.
“Die Schopfung” propozon të njohësh thesarin e krijmtarisë gjeniale universale, propozon të kuptosh jo një vepër po një fenoment artistik, propozon të shijosh shkrirjen e mendimit filozofik metafizik dhe principeve të dramaturgjisë muzikore më të pastër e të përkryer.
Të njohësh muzikën dhe ta duash atë qoftë dhe jo si profesionist, mbasi si i tillë po se po, pa dëgjuar “Krijimin” është varfëri dhe formim sipërfaqësor.
Bashkë me mjeshtrin Candeloro një inisiativë më shumë drejt së pamundurës – realizimi koreografik i “Krijimit”. Pse jo, koha, mendimi dhe mundësitë kanë avancuar.
T.K.O.B - sjell në këtë përvjetor atë çka më të mirë mes vetes dhe miqve besnikë, dashamirës dhe të vyer.
Shpresojmë në fund të tingëllojë e merituar “Amen”.