E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ina Rama: Prokuroria është vënë në presion për dosjen e Gërdecit. Durrës-Kukës, dosje e mbyllur

Nga Bledar Lumani

Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama, pohoi gjatë ditës së djeshme se organi i akuzës ka qenë dhe vazhdon të jetë në presion të vazhdueshëm nga ana e politikës në lidhje me hetimet për tragjedinë e Gërdecit. Këtë fakt kryeprokurorja ua ka bërë të ditur 27 përfaqësuesve të Bashkimit Evropian në vendin tonë, të cilët për më shumë se dy orë kanë dëgjuar nga drejtuesit e drejtësisë reformat e ndërmarra në këtë fushë. Sakaq, në lidhje me interesimin për fatin e dosjes Durrës-Kukës, Rama u shpreh se për momentin nuk ka asgjë të re dhe se pas vendimit të Gjykatës së Lartë dosja vazhdon të jetë e mbyllur.

Presioni

Për herë të parë që prej fillimit të hetimeve për tragjedinë e Gërdecit, Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama, ka bërë të ditur se prokuroria është vënë në një presion të vazhdueshëm nga ana e politikës. Pohimi i Ramës është bërë gjatë takimit me përfaqësuesit e Bashkimit Evropian në vendin tonë. Mësohet se kryeprokurorja, e pyetur nga këta të fundit për çështjen në fjalë, ka pohuar presionin e politikës për hetimet e Gërdecit. Presioni më i madh ka qenë nga ana e qeverisë, e cila me deklaratat e saj, por dhe me veprimet, si miratimi i disa ligjeve, siç ishte ligji i lustracionit, bëri që kreu i hetimeve për Gërdecin, Zamir Shtylla, të jepte dorëheqjen, por dhe ligji për prokurorinë. Këto veprime të qeverisë kanë ndikuar drejtpërsëdrejti në veprimtarinë e prokurorisë, e cila është ndjerë nën presion të hapur për vazhdimin e hetimeve të dosjes së Gërdecit, por dhe të disa dosjeve të tjera korruptive, në të cilat janë përfshirë zyrtarë të lartë dhe miq e familjarë të tyre. Madje, presioni i qeverisë ndaj prokurorisë ka qenë aq i madh, saqë u përpoq të shkarkonte kryeprokuroren Rama. Presioni ndaj kësaj të fundit, i cili madje ka kaluar në sulm të hapur nga kryeministri Berisha dhe mediet afër tij, ka qenë në rastet e hetimit për sekserin serbo-boshnjak, Damir Fazlliç, por dhe në rastin më të fundit, atë të përfshirjes së Fahri Balliut në biznes me Mihal Delijorgjin. Madje, presioni i këtyre të fundit mendohet që ka shkaktuar hetime të përcipta nga ana e organit të akuzës, gjë që solli edhe mos-bllokimin e firmës së përbashkët të Balliut dhe Delijorgjit. Përveç presionit të politikës, kryeprokurorja Rama bëri të ditur se organi i akuzës është ndjerë nën presion edhe nga ana e publikut, i cili, sipas saj, ka pritur rezultate konkrete për luftën ndaj korrupsionit. Ndërkohë, Ina Rama i është përgjigjur edhe interesit në lidhje me dosjen hetimore të rrugës Durrës-Kukës, e cila u mbyll pak kohë më parë nga ana e Gjykatës së Lartë. Ajo u shpreh se për këtë çështje nuk ka asgjë të re për momentin, pasi dosja tashmë është e mbyllur.

Drejtësia në provim

Drejtësia shqiptare është marrë në pyetje dje nga ana e 27 përfaqësuesve të vendeve të Bashkimit Evropian. Nën kryesimin e ambasadës çeke si kryesuese e radhës së Bashkimit Evropian, drejtuesit e drejtësisë u pyetën në lidhje me përparimin e reformave dhe respektimin e pavarësisë, në kuadër të plotësimit të kushteve, pas nënshkrimit të marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit dhe në prag të përgatitjes së progres-raportit të ri. Nënkryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Prokurorja e Përgjithshme dhe zëvendësministri i Drejtësisë u ulën përballë diplomatëve evropiane dhe iu përgjigjën për më shumë se dy orë pyetjeve të tyre, lidhur me hartimin e disa ligjeve shumë të rëndësishme, reformat, buxhetin, pavarësinë dhe madje edhe hetimin e disa çështjeve konkrete. Interesimi i diplomatëve evropianë ka qenë i gjerë, duke përfshirë miratimin e ligjit për Prokurorinë, imunitetin e prokurorëve e deri te pagat e gjykatësve. Në lidhje me këtë takim, nënkryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Kreshnik Spahiu, nuk dha detaje, por theksoi se secila palë ka bërë raportin e saj. “Na u desh të ballafaqohemi me pyetje të ndryshme të diplomatëve. Diplomatët, jo vetëm që ishin familjarë, po ishin shumë të interesuar për çështjet”, - u shpreh Spahiu.

Roli i prokurorisë dhe lufta kundër korrupsionit

Kur këtu e një vit e gjysmë më parë kryeprokurorja, Ina Rama, hyri për herë të parë në këtë godinë, ishin të shumtë ata që panë tek ajo shpresën se institucioni i akuzës do të merrte forcën, për të cilën ka nevojë. Por shumë shpejt ajo u vu në provë. Në zyrë gjeti çështjen e rrugës Durrës-Kukës, për të cilën vazhdoi hetimet, ndërsa më pas një tjetër çështje madhore, ajo e Gërdecit, ku përsëri plekseshin interesa dhe njerëz të pushtetit, gjë që e bëri të pashmangshme përballjen e saj me politikën. Një përballje, në të cilën, veçanërisht me pushimin e hetimeve për rastin e rrugës, shumë shohin se prokuroria doli e humbur. Motivet apo dhe justifikimet janë të ndryshme. Njohin një pjesë të fajit të vetë institucionit dhe justifikojnë pjesën tjetër me ndikimin politik.

Mentor Kikia, gazetar, i cili është marrë gjatë me kronikat gjyqësore, është i prerë në vlerësimin e tij: “Jemi të detyruar të konstatojmë një zhgënjim total, pasi çështja më e madhe që mori vëmendjen e të gjithëve, ajo ndaj ministrit Basha, u shndërrua në një flluskë, ajo u rrëzua pa mundur dot të jepej një vendim për fajësi apo pafajësi. Ishte një goditje dhe një shkelm shumë i rëndë për drejtësinë shqiptare mbyllja e kësaj çështjeje pa dhënë një vendim. Gjykata mund ta kishte shpallur të pafajshëm, por do ishte një sukses t’i ishte nënshtruar së paku këtij procesi.”

Gjykata e Lartë e pushoi çështjen në fillim të këtij muaji për shkelje të afateve. A ishte kjo një paaftësi e prokurorisë apo dhe produkt i aktorëve të tjerë brenda dhe jashtë sistemit? Ish-Prokurori i Përgjithshëm, Arben Rakipi, thotë se akuza është pjesë e institucioneve të tjera dhe nuk mund të bëjë dallime thelbësore krahasuar me to. Dhe në rastin e fundit, ndërsa njeh një përgjegjësi të prokurorisë, i del në krah asaj duke shtuar se ajo ka qenë e vetme: “Ajo që mund të ngarkojë me përgjegjësi prokurorinë është një zvarritje e hetimeve që çoi në një lojë procedurale që ka rëndësinë e saj. Procedura tashmë po bëhet me prioritet. Në këtë pikëpamje është brenda lojës, por aktorët që marrin pjesë në këtë lojë të gjithë janë kundër prokurorisë. Edhe ata që nuk marrin pjesë. I humburi merr edhe pasojat, po gjykimi im është se humbja është e pandershme, nuk është rrjedhojë e një loje të ndershme”.

Sipas zotit Rakipi, “gjykata nuk ka ushtruar funksionet e saj për të siguruar një proces të drejtë e të paanshëm, ndërsa politika në të dy krahët, qoftë me sulme, qoftë me heshtje, ka qenë kundër prokurorisë.” Ndërsa avokat Spartak Ngjela, deputet i shkëputur prej kohësh nga Partia Demokratike për shkak të përplasjes së tij me kryeministrin, Sali Berisha, sheh te prokuroria një mungesë kuraje për t’u përballur me pushtetin: “Pse humbën afatet? Një krah nga paaftësia dhe nga ana tjetër, se në momentet që do i komunikonte akuzën ishte i detyruar të merrte masën e sigurisë. Dhe për 240 milionë euro nuk mund të lësh dot njeri të lirë. Pra, nuk ka patur kurajë që ta arrestojë. Ka patur një vendim qeverie që ngrihet kryeministri që thotë se ka një vendim kolegjial. ǒdo të thotë vendim kolegjial? Për 240 milion euro të zhdukura edhe 240 anëtarë qeverie futen në burg.”

Për avokat Ngjelën megjithatë prokurorisë i duhet dhënë mbështetje. Ai nënvizon faktin se për herë të parë ky institucion u ngrit mbi nivelin e krimit të ulët për të shkuar në majat e larta të korrupsionit duke ngritur akuzë ndaj njerëzve me pushtet: “Prokuroria e bëri një hap në sensin historik, po a do e çojë dot deri në fund? Është frika, është presioni, është korrupsioni moral. Por a do tërhiqet apo do të hetojë deri në fund? Kemi kohë të shikojmë. Të paktën të shikojmë atë të Gërdecit që është një krim shumë i shëmtuar. Janë vrarë 26 njerëz të pafajshëm nga një trafik armësh mizerabël që ka marrë karakter ndërkombëtar”:

Por për zotin Kikia trysnia politike nuk mund të jetë një alibi për prokurorinë: “Prokuroria dhe Prokurorja e Përgjithshme duhet të ishin të përgatitur se do të punonin në një ambient aspak paqësor. Në asnjë vend nuk ka prokurorë të mirëpritur në zyrat e shtetit për të hetuar korrupsionin dhe skandalet që bën qeveria. Unë nuk i quaj arsye madhore sulmet ndaj prokurorisë për të justifikuar dështimet.”

Megjithatë, ish-kryeprokurori, Arben Rakipi, i akuzuar në atë kohë se vepronte politikisht e që u largua nga posti si pasojë e lojërave të klasës politike, thotë se nuk është e lehtë të veprosh i vetëm: “Presioni ndaj prokurorisë është shumë i madh dhe ju siguroj që është mjaft e vështirë për të manovruar i vetëm në këtë situatë”.

Rasti i vendimit të Gjykatës së Lartë dhe zbulimi nga mediet se në një rast analog po kjo gjykatë kish marrë një vendim të ndryshëm, ka rikthyer pikëpyetjet mbi drejtësinë. Të gjithë duket se janë në një mendje që gjykatat shqiptare nuk veprojnë lirshëm.

Në gjithë këtë situatë, prokuroria ka preferuar heshtjen apo deklarata gjysmake, si në rastin e akuzave që u ngritën në shtyp se kishte lënë jashtë hetimit një kompani të pronarit të Gërdecit, Mihal Delijorgji. Vetëm sot, në ecje e sipër, kryeprokurorja tha një fjali: “Ju duhet ta keni dëgjuar se vendimi i Gjykatës së Lartë është i formës së prerë”.

Një fjali, e cila duket se është guri mbi dosjen e varrosur vetëm për çështje kohe. Dy vjet hetime, energji njerëzore e shpenzime u tretën pa patur përgjegjës, të paktën deri tani.

Armand Mero, VOA

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›