E Diel, 1 Nëntor 2026

Luftë mes grupeve në Shkozet, qëllohet autobusi me pasagjerë

Nga Bledar Lumani

Një autobus me pasagjerë është qëlluar pasditen e djeshme në Shkozet, pas një shkëmbimi zjarri mes dy grupeve të rinjsh. Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 16:00, teksa për pasojë kanë mbetur të plagosur pesë prej pasagjerëve të autobusit, dy prej të cilëve në gjendje të rëndë. Të plagosurit mësohet se janë Bashkim Zhupi, i cili ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore, si dhe Silvana Rizai, Elvana Ndoci, Dilaver Meta dhe Suela Çima. Sakaq, policia bëri të ditur se ka shoqëruar në ambientet e komisariatit mbi 40 persona, të cilët dyshohen si pjesëmarrës në shkëmbimin e zjarrit mes dy grupeve, që solli edhe plagosjen e pesë të pafajshmëve.

Ngjarja

Pesë pasagjerë të një autobusi kanë mbetur të plagosur gjatë ditës së djeshme pas një shkëmbimi zjarri mes dy grupeve rivale. Policia bëri të ditur se ngjarja e rëndë ka ndodhur në Shkozet të Durrësit, në vendin e quajtur Nish-Tulla, rreth orës 16:00. Në shkëmbimin e zjarrit mësohet se kanë marrë pjesë disa persona, të cilët kanë qëlluar në drejtim të njëri-tjetrit me armë të kalibrave të ndryshëm. Sipas policisë, të rinjtë, të cilët nuk janë identifikuar ende, pjesëtarë të dy grupeve rivale, pas një zënke kishin marrë automatikët dhe po qëllonin mbi njëri-tjetrin. Në këtë moment, në zonën e shkëmbimit të zjarrit ka kaluar autobusi me pasagjerët, ndërsa një prej personave i përfshirë në shkëmbimin e zjarrit, pa parë që po kalonte mjeti me udhëtarë, ka qëlluar aksidentalisht mbi këtë të fundit. Për pasojë kanë mbetur të plagosur Bashkim Zhupi, i cili ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore, si dhe Silvana Rizai, Elvana Ndoci, Dilaver Meta dhe Suela Çima. Këta të fundit janë dërguar menjëherë në spitalin e Durrësit, ku dhe janë duke u kuruar. Sipas policisë, këta të fundit po udhëtonin nga Durrësi drejt fshatit Fllakë, kur u plagosen në vendin e quajtur Nish-Tulla në Shkozet. Menjëherë pas ngjarjes së rëndë mësohet se policia ka shoqëruar mbi 40 persona, të cilët dyshohet se kanë qenë pjesëmarrës në shkëmbimin e zjarrit mes dy grupeve rivale. Policia ka mbledhur provat dhe dëshmitë dhe ka arritur në konkluzionin se dy grupe rivale kishin hapur zjarri mbi njëri-tjetrin. Sakaq, policia bëri të ditur se është duke hetuar për ngjarjen e rëndë, si dhe identifikimin e personave përgjegjës për plagosjen e pesë personave të pafajshëm. Shkozeti, një zonë e populluar kryesisht nga romët, njihet për konfliktet e vazhdueshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›